Botë
Moti i keq përfshiu disa shtete, borë në Itali
14.07.2016 17:32
Pjesë të ndryshme të Europës, derisa janë përfshirë nga temperatura të larta në disa vende, moti i keq ka shkaktuar dëme të mëdha, ndërsa në disa tjera ka nisur edhe bora...

Megjithëse duket e çuditshme, nata mes 13 dhe 14 korrikut ka qenë e vështirë për banorët e komunës së Livinjos në Lombardi të Italisë. Reshjet e borës kanë shkaktuar edhe probleme në qarkullimin e automjeteve. Livinjo është një komunë në veri të Italisë dhe ndodhet në lartësinë e 1800 metrave mbi nivelin e detit. Ajo ndodhet në kufirin italo-zviceran, në zonën e Alpeve.
Ndërkohë, stuhitë e fuqishme kanë shkaktuar dëme të mëdha mbrëmë edhe në Hungarinë perëndimore. Një valë e ftohtë e përfshiu këtë pjesë të vendit, e cila solli breshër dhe shi. Tendat u morën nga era e fuqishme, ndërsa breshëri në madhësi të një arre ka shkaktuar dëme të konsiderueshme. Shumë pemë u shkulën nga toka, derisa u dëmtuan kulme e vetura.
Nata e mbrëmshme nuk ishte e qetë edhe për Austrinë, ku stuhia shkaktoi shkatërrime të mëdha dhe dëme materiale në vlerë prej disa milionë eurove, raportojnë mediat e vendit.
Stuhia dhe moti i keq, i shoqëruar me shi të rrëmbyeshëm dhe përmbytje, ka kapluar edhe Moskën, ku raportohet për 300 pemë të shkulura nga toka dhe dëmtim të 22 veturave. Në këtë situatë të paktën shtatë persona u lënduan, derisa dhjetëra fluturime u pezulluan në aeroportet e qytetit, duke përfshirë 15 në Aeroportin Ndërkombëtar Sheremetievo.
LEUNORA KALIQI
