Maqedoni

Kuvend, themelohet Universiteti ”Damjan Gruev”

14.07.2016 18:12

Kuvendi, në kuadër të seancës së sotme, me 62 vota “për” dhe një votë “kundër”, ka miratuar Ligjin për plotësimin e Ligjit...

Kuvendi, në kuadër të seancës së sotme, me 62 vota “për” dhe një votë “kundër”, ka miratuar Ligjin për plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit për Mbrojtje Kombëtare, Siguri dhe Paqe ”Damjan Gruev” në Shkup.
 
Nga LSDM janë shprehur kundër themelimit të universiteteve të cilat e shkatërrojnë arsimin, për arsye se këto projekte janë sjellë në mënyrë kontrabanduese dhe pa plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm. 
 
“LSDM dhe partnerët e koalicionit janë kundër shkatërrimit të arsimit, me vulosje të papërshtatshme të universiteteve të cilat para së gjithash kanë për qëllim punësimin e kuadrove dhe dëgjuesve partiakë. Nuk duhet të lejojmë që projekte të tilla të rëndësishme nga arsimi, të sillen në mënyrë kontrabanduese, pa u vërejtur procedurat ligjore, pa u dorëzuar raporte për themelimin e tyre, dhe më e rëndësishmja, pa strukturën e nevojshme financiare”,- tha koordinatori i grupit parlamentar të LSDM-së, Goran Sugarevski.
 
Ndërkohë, kanë reaguar nga VMRO-DMPNE, të cilët thonë se themelimi i këtij universiteti kontribuon në ngritjen e cilësisë së mësimdhënësve dhe njohurive të studentëve.
 
“Ne besojmë se këto ndryshime në Ligjin për themelimin e Universitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Siguri dhe Paqe "Damjan Gruev" do të kontribuojë  në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe të stafit kërkimor, në të njëjtën kohë do të ndikojë  edhe në procesin mësimor dhe në njohuritë që do të fitojnë studentët të cilët do të regjistrohen në të ardhmen në ndonjë nga fakultetet e universitetit të ri”,- thuhet në reagim e VMRO-DPMNE-së.
 
Gjithashtu nga VMRO-DPMNE thonë se edhe pse LSDM tani akuzon, ajo i ka dhënë mbështetje themelimit të Universitetit "Damjan Gruev".
 
GAZMEND KURTISHI