Maqedoni
Rasti i Kumanovës, të akuzuarit kërkuan ndihmë mjekësore dhe anulimin e seancës
14.07.2016 18:16
Vazhdoi sot gjykimi për të akuzuarit e rastit “Kumanova”, edhe pse pjesëtarët e grupit kishin kërkuar anulim dhe ndihmë mjekësore për të vërtetuar se a janë në gjendje për të ndjekur seancën...

Por, katër pjesëtarët e grupit, mes të cilëve Sami Ukshini, Hajrush Abdia, Lirim Krasniqi dhe Esat Kafexholi, pasi që u kontrolluan nga ana e ndihmës së shpejtë, mjekët konstatuan se ata janë në gjendje për të ndjekur seancën.
Avokatët mbrojtës thonë se herën tjetër do të kërkojnë që kontrolli të bëhet nga mjekë specialistë, e jo nga mjekë të përgjithshëm, si dhe apelojnë për ndërprerje të menjëhershme të dhunës që po ushtrohet ndaj të arrestuarve të rastit “Lagjja e trimave”.
“Kërkuam ndihmën e shpejtë që të konstatojë se këta të akuzuar a janë në gjendje për ta vazhduar seancën gjyqësore apo jo. Sipas mendimit primar të mjekut të mjekësisë së përgjithshme, ai vetëm me një kontroll të përgjithshme erdhi në konkluzion se mund të vazhdohet seanca. Megjithëse si mbrojtje jemi të detyruar dhe apelojmë tek të gjitha institucionet relevante se nëse nuk ndërmarrin masa që të ndërpritet dhuna e menjëhershme ndaj klientëve tanë, atëherë do të jemi të detyruar që ne tua tërheqim autorizimet dhe të vazhdojë në mënyrë arbitrare gjykimi i këtyre njerëzve”,- deklaroi avokatja, Artene Idrizi.
Kontrolli mjekësor ishte kërkuar edhe për të arrestuarit, Demë Shehu dhe Shefqet Kallaçi, kurse Gjykata ka refuzuar atyre t’u bëjë kontroll.
“Reaguam ne avokatët pse ata dy mos të kontrollohen, nuk kishim përgjigje se përse. Gjykata nuk është korrekte dhe në mënyrë selektive bëhet kontrolli i të arrestuarve. Dhuna nuk ka fund, tortura vazhdon. Gjatë transportit maltretohen në mënyrë jonjerëzore, lidhen në atë mënyrë që nuk është e lejuar, të themi kokën ua pamë poshtë, ashtu me qëllim që në këto temperatura jashtëzakonisht të larta kjo ndikon tek tensioni”,- tha avokati, Naser Raufi.
Avokatët mbrojtës gjithashtu informuan se gjatë seancës së kaluar janë konstatuar lëndime trupore ndaj dy të arrestuarve. Mbrojtja thotë se do të ngrenë aktpadi ndaj personave që kanë ushtruar dhunë.
“Në seancën e kaluar janë vërtetuar maltretime fizike ndaj dy të burgosurve, ku janë konstatuar lëndime trupore, ku atë konstatim ose atë procesverbal sot mjekët vetëm ia kanë përcjellë trupit gjykues, edhe ne për një kohë të shkurt do të kërkojmë ato procesverbale që të ngremë padi ndaj atyre personave për maltretim dhe keqpërdorim të detyrës”,- theksoi avokati, Nefail Arsllani.
Seanca edhe sot ka vazhduar me dyer të mbyllura, ku të akuzuarit kanë dhënë dëshmitë e tyre për ngjarjet e 9 dhe 10 majit të vitit të kaluar.
Procesit të 29 të akuzuarve për terrorizëm në “Lagjen e trimave” në Kumanovë iu janë bashkangjitur edhe lëndët e grupit të logjistikës, për të cilat akuzohen tetë persona.
ERSAN PAJAZITI
