Futboll

FIFA rangimi: Maqedonia e 139-ta, Shqipëria e 37-ta, Kosova e 190-ta

14.07.2016 18:41

Asgjë e re sa I përket Maqedonisë, edhe në rangimin më të ri të publikuar sot nga FIFA...

Djemtë e Angellovskit, mbeten edhe më tutje me rënditje katastrofale dhe në pozitën e 139-të, me gjithsej 243 pikë të tubuara, shtatë më pak në krahasim me rangimin e muajit të kaluar, ku njëashtu ishin në vendin e njejtë.
 
Sa për ilustrim të asaj se sa e dobët është kjo rënditje, është fakti se para Maqedonisë gjenden përfaqësuese si Malavi, Svazilend, Nikaragua, Tanzania e Mauritania. Bile edhe Palestina dhe Siria, e cila tash e sa vite gjendet në luftë.
 
Në krahasim me Maqedoninë, Shqipëria, pas paraqitjes mëse dinjitoze në Kampionatin Europian dhe fitores të korrur ndaj Rumanisë, ka përparuar për pesë pozita dhe muajin korrik e kalon në vendin e 37-të, me gjithsej 667 pikë të tubuara. Me rënditje më të mirë se kjo, Shqipëria ka qenë vetëm shkurtin dhe marsin e vitit të shkuar. 
 
Ndërkohë, risi në rangimin më të ri të FIFA-s është paraqitja e parë e përfaqësueses së Kosovës. Fal fitores debutuese në ndeshjen ndaj Ishujve Faroe, futbollistët kosovar e kanë nisur mjaft mirë konkurimin e tyre në rang listën e shtëpisë numër një futbollistike në botë, duke u ranguar në pozitën e 190-të, me 60 pikë të tubuara dhe duke lënë pas gjithsej 19 kombëtare.
 
Sa I përket kryesimit, Argjentina vazhdon të prijë, para Belgjikës dhe Kolumbisë. Kampioni latinoamerikan Kili është në vendin e pestë, ndërsa kampioni i ri europian Portugalia, në pozitën e gjashtë. /Mustafa Ademi