Maqedoni
Britani-BE, Merkel fton May për bisedime në Berlin
14.07.2016 19:27
Kancelarja gjemane Angela Merkel ka ftuar Kryeministren e sapozgjedhur britanike për bisedime në Berlin...

Ajo tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Teresa May dhe se bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve vijon ashtu si tradicionalisht ka ndodhur. Por zyra e May ka thënë se është shumë herët për të nisur negociatat e daljes së Britanisë nga Bashkimi Europian.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të enjten se është e gatshme të bashkëpunojë me Kryeministren e re të Britanisë së Madhe Teresa May.
“Është detyra jonë që të punojmë shumë ngushtë me qeveritë e vendeve aleate. Bota ka mjaft probleme ndaj duhet të vazhdojmë bashkëpunimin edhe për çështje të rëdësishme të politikës së jashtme. Ne kemi bashkëpunuar tradicionalisht me Britaninë e Madhe dhe unë pres të punojmë sëbashku edhe me Teresa May”, tha Merkel gjatë një konference për shtyp me homologun e saj nga Kirgistani Almazbek Atambajev në kryeqytetin Bishkek të Kirgistanit.
Kancelarja tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me May të mërkurën, ku e ka ftuar atë për bisedime në Berlin. Ajo nuk pranoi të komentojë vendimin e Kryeministres së Britanisë së Madhe për të emëruar Ministër të Jashtëm Boris Johnos, ish-kreu i Bashkisë së Londrës, një ndër kundërshtarët e ashpër të David Cameron që ka bërë një fushatë të fuqishme për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian.
Të mërkurën zyra e May deklaroi se Kryeministrja i ka thënë kancelares Merkel dhe Presidentit francez, François Hollande, se duhet kohë para fillimit të bisedimeve për daljen e Britanisë nga Unioni.
