Ivanov u prezantua në disa qytete
Kandidati për president nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov, vazhdoi fushatën e tij zgjedhore në Berovë, Dellçevë dhe Makedonska Kamenicë, ku para banorëve të këtij rajoni prezantoi platformën e tij presidenciale.
Ivanov tha se Berova është e njohur për më shumë gjëra dhe gjithmonë arrin qëllimin e duhur. Ai tha se Berovën e ka vizituar shumë edhe si profesor, por edhe si kryetar shteti, prej ku dhe maksimalisht ka ofruar ndihmën e tij banorëve të kësaj ane.

Kandidati për president nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov, vazhdoi fushatën e tij zgjedhore në Berovë, Dellçevë dhe Makedonska Kamenicë, ku para banorëve të këtij rajoni prezantoi platformën e tij presidenciale.
Ivanov tha se Berova është e njohur për më shumë gjëra dhe gjithmonë arrin qëllimin e duhur. Ai tha se Berovën e ka vizituar shumë edhe si profesor, por edhe si kryetar shteti, prej ku dhe maksimalisht ka ofruar ndihmën e tij banorëve të kësaj ane.
Në Berovë krijohen kushte për të gjithë të rinjtë, që të vazhdojnë të jetojnë në Berovë dhe mos të braktisin vendlindjen si më herët. “Çdo herë kur jam jashtë shtetit dhe i shoh banorët e Berovës të shpërngulur, u them të kthehen në Berovë dhe të shohin sukseset e kryetarit të ri dhe kushtet të cilat krijohen. Se si në Berovë planifikohet zonë industriale, planifikohet të realizohet turizëm malor dhe të krijohen kushte, që banorët e Berovës të kenë një jetë të denjë”.
Ivanov, me këtë rast tha se në kushte të krizës së madhe ekonomike nga viti 2008, shumë ekonomi evropiane rëndë ballafaqoheshin me këtë provokim, por Maqedonia e tejkaloi atë, pasi në vitin 2006 në Maqedoni erdhi një ekip i ri i suksesshëm. Ivanov para banorëve të Berovës tha se për 5 vite ka qenë zëri i çdo qytetari në Maqedoni dhe do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen. Ivanov tha se nga 39%, papunësia në Maqedoni ka zbritur në 28%. Niveli i papunësisë do të vazhdojë të zbresë, sepse gjithçka që është krijuar tani do të japë rezultat. Ai para banorëve të Berovës tha se në zonat industriale më shumë se 7 mijë persona janë punësuar vetëm këtë vit, ndërsa deri në fund të vitit 14 mijë.
“Nuk ka vend ku nuk krijohet hapësirë për të ardhur investitorë të huaj, por edhe investitorët tanë në të njëjtat kushte të krijojnë vende të reja pune. Politika nuk matet me fjalë të mira dhe premtime boshe, ajo matet me numrin e vendeve të hapura të punës”, tha Ivanov.
“Disa flasin për njerëz të ri në Maqedoni. Unë them se Maqedonia ka pamje të re. Maqedonia në të cilën ndërtohen autostrada, Maqedonia në të cilën ndërtohen fabrika, Maqedonia në të cilën tërhiqen investime të huaja, vendi ku krijohen edhe prodhime me brendinë Maqedoni. Kjo është një Maqedoni e suksesshme, por për të arritur këtë na u deshtë të zbatohen shumë reforma. Duhej që shumë ligje të reja të miratoheshin dhe shumë të tjera të pësojnë ndryshime. Duhej të shkohet në shumë destinacione në botë dhe të binden biznesmenët të vijnë dhe të investojnë në Maqedoni. Kjo është pamja e Maqedonisë për të cilën duhej shumë mund, përkushtim, por edhe unitet shtetëror, me një zë të bisedohet edhe me kryetarin edhe me kryeministrin dhe ministrat. Një zë të dëgjohet nga Maqedonia, kjo është Maqedonia e cila arrin suksese, për atë dhe kërkoj besimin tuaj përsëri. Një herë thash dhe përsëri do të përsëris, çka është e jona do të vijë. Por ne të jemi të përkushtuar, të bashkuar dhe të kemi një zë jashtë Maqedonisë. Të kemi unitet shtetëror dhe të gjitha institucionet bashkërisht të punojnë dhe të funksionojnë për të mirën e qytetarëve të Maqedonisë. Shumë gjëra kemi bërë për banorët e Berovës. Në kushte të krizës më të madhe në Maqedoni, ekonomia shënon rritje, për këtë vit ishte e paraparë 3.3% rritje të bruto prodhimit vendor, ndërsa guvernatori tha se ka rritje prej 3.7%.Kur shumë ekonomi bien, ekonomia jonë shënon rritje. Por duhet edhe më shumë të rritet, pasi që shumë vite më parë, shumë mundësi janë humbur, shumë projekte infrastrukturore të cilat është dashur të realizohen më herët, por që nuk janë bërë. Por tani jemi të përkushtuar që tërë këtë ta plotësojmë dhe përsëri të ketë rritje në ekonomi, pasi që vetëm atëherë kemi progres në shtet. Rriten pagat, pensionet, subvencionet dhe bursat, gjithçka rritet, ndërkaq bie papunësia”, - deklaroi kandidati për kryetar nga VMRO-DPMNE, Gjorge Ivanov.
Ivanov tha se në kontinuitet mban llogari për personat e rrezikuar social, duke shtuar se në Berovë janë ndërtuar banesa për këta persona dhe me këtë mendohet për të gjithë dhe jo vetëm për vete.
“Maqedonia ka zemër të madhe dhe këtë e tregon përmes popullit të saj, për atë mendojmë edhe për bujqit, të falimentuarit, për xehetarët dhe për ushtarët profesional, për të cilët gjetëm zgjidhje. Për secilën kategori të personave, gjetëm mënyrën se si t’ju ndihmojmë”, shtoi ai.
Ai tha se që prej kur ka ardhur në qeveri VMRO-DPMNE, janë hapur rreth 120 mijë vende pune. “Kjo është arsyeja që unë përkrahi VMRO-DPMNE-në dhe qëndroj pas tyre dhe siguroj mbështetje politike për çdo projekt të tyre, kur shkoj të vizitoj vende të tjera”, tha mes tjerash Ivanov.
“Gjithmonë me vete marr ndonjë ministër apo biznesmen, me qëllim që të promovojmë ambientin e ri të Maqedonisë. Maqedonia po bëhet destinacion për sukses, vend i cili arrin suksese në kushte të vështira”, tha ai.
Sipas Ivanovit, gjithçka që është vendosur si qëllim, do të realizohet, Maqedonia është pjesëmarrëse në çdo mision paqësor në të cilin ftohet, duke poseduar standardet më të larta.
“Qëllimi ynë strategjik është të jemi pjesë e NATO-s dhe BE-së. I kemi të ditura të gjitha bllokadat drejt kësaj rruge. Por, ne nuk do të gjunjëzohemi. Ne i plotësojmë të gjitha kërkesat e dorëzuara deri tek ne. Prandaj kemi marrë pesë raporte pozitive dhe rekomandime për fillimin e negociatave me BE-në, kështu ndërtohet Maqedonia, kështu krijohet ambient që Maqedonia të arrijë suksese”, shtoi ai.
Ivanov, gjithashtu platformën e tij ka shpalosur edhe në Dellçevë. Ai para të pranishmëve tha se do të vazhdojë me punë të përkushtuar, prej ku dhe kërkoi mbështetje për mandatin e dytë.
“Para fillimit të fushatës isha në Dellçevë dhe i dëgjova dëshirat dhe nevojat e banorëve të kësaj ane dhe mund t’ju premtoj se me përkushtim do të punojmë së bashku me Qeverinë dhe kryetarin e komunës, që të përmirësohen kushtet për jetë, të ndërtohet zonë e zhvilluar tregtare, industriale dhe të krijohen kapacitete të reja, ku të rinjtë do të kenë vende të punës”, tha Ivanov.
Ai edhe para banorëve në Dellçevë, tha se NATO dhe BE mbeten qëllimet strategjike për të cilën do të kontribuojë edhe në të ardhmen.
“Si komandant suprem i ARM-së, them se do të marrim pjesë në të gjitha misionet paqëruajtëse bashkërisht me ushtarët e NATO-s”, theksoi ai.
Duke folur për zhvillimet ekonomike, Ivanov tha se janë krijuar parakushte themelore me reformat e realizuara në bujqësi dhe me ndërtimin e infrastrukturës rrugore, komunale dhe energjetike.
“Ndërtohen autostrada, rehabilitohen ura dhe rrjete rrugore rajonale, ndërkaq kanë filluar punimet edhe për rrjetin hekurudhor me Bullgarinë. Këto reforma do të japin rezultate me hapjen e mijëra vendeve të punës, në kapacitet e reja të cilat ofrojnë kompanitë e huaja dhe ato vendore dhe ky është fryt i politikës dhe i punës së përkushtuar ekipore”, tha Ivanov. (Florije Kamberi, TVM2)
