Botë

Dënime dhe reagime për sulmin në Nicë

15.07.2016 10:07

Presidenti amerikan Barak Obama e dënoi "sulmin terrorist" në Nicë, në të cilin humbën jetën 84 persona...

Presidenti amerikan Barak Obama e dënoi "sulmin terrorist" në Nicë, në të cilin humbën jetën 84 persona, kur një kamion hyri në turmën e njerëzve.
 
"Mbesim të përkushtuar në solidaritetin dhe partneritetin me Francën, aleatin tonë më të vjetër, në përgjigjen e tyre dhe rikuperimin nga ky sulm", thotë Obama.
 
Sekretari shtetëror amerikan Xhon Keri premtoi se SHBA-të do të dërgojnë ndihmë të ndryshme deri te Franca, nëse nevojitet.
 
Zëdhënësi i kryeministres të sapozgjedhur britanike Tereza Mej, sulmin në Nicë e cilëson si "incident të tmerrshëm" dhe shtoi se janë "shokuar dhe të brengosur".
 
Ministri i ri britanik i Punëve të Jashtme Boris Xhonson publikoi në Tuiter se është "i shokur dhe i pikëlluar  për shkak të ngjarjeve të tmerrshme në Nicë dhe humbjen e jetëve".
 
Ish sekretarja shtetërore e SHBA-së dhe kandidate e demokratëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale Hilari Klinton  e dënoi sulmin në Nicë.
 
"Secili qytetar amerikan solidarizohet me popullin e Francës dhe me një zë themi: nuk do të frikohemi. Asnjëherë nuk do të lejojmë terroristët t'i shkatërrojnë vlerat demokratike dhe barazinë ndaj të cilave themelohet mënyra jonë e jetës. Ky akt qyqar vetëm e përforcon obligimin tonë drejt partnerëve tanë të Aleancës dhe përpjekjen tonë për fitore ndaj terrorizmit gjithkund në botë", theksoi Klinton.
 
Ministri australian i Punëve të Jashtme Xhuli Bishol deklaroi se asnjë qytet, asnjë vend nuk është imun ndaj sulmeve terroriste.
 
"Për këtë shkak Qeveria australiane do të bëjë çmos që t'i mbrojë australianët në vendin e tyre, ashtu edhe në vendet e huaja", shtoi Bishol.
 
Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se pjesëmarrësit e Forumit aziatik-evropian në Ulan Bator janë në gjendje shoku për shkak të sulmit në Nicë.
 
Ajo shtoi se Gjermania qëndron pas Francës në luftën kundër terrorizmit.
 
Kryeministri japonez Shinxo Abe e cilëson sulmin si "tërësisht të papranueshëm" dhe "të ashpër", duke shtuar se Japonia "e shpreh solidaritetin e saj të fuqishëm me Francën në këtë kohë të rëndë".
 
Zëdhënësi i Dauning strit kumtoi se janë të "shokuar dhe të brengosur" për shkak të sulmit.
 
Kryeministri rus Dmitrij Medvedev shprehu keqardhje për viktimat  në sulmin.
 
Në porosinë e publikuar në Twitter, ai tha: "Shpreh keqardhjen më të thellë deri te Franca, për të gjithë ata që janë lënduar dhe familjet e të vdekurve në sulmin monstruoz terrorist në Francë".
 
Sulmi ka ndodhur saktë tetë muaj pas sulmit në Paris, në të cilin janë vrarë 130 njerëz në nëntor të vitit të kaluar./mia