Ekonomi

OEMVP dhe OJQ-të shprehin shqetësimin për shkurtimin e IPA Fondeve

15.07.2016 14:52

Shkurtimi i IPA Fondeve nga Bashkimi Europian për Maqedoni ka ngritur zërin edhe tek organizatat joqeveritare...

Shkurtimi i IPA Fondeve nga Bashkimi Europian për Maqedoni ka ngritur zërin edhe tek organizatat joqeveritare, pasi të njëjtat 90% të buxhetit e fitojnë duke konkurruar në projekte dhe duke thithur mjete nga IPA Fondet.
 
Kjo u bë e ditur në takimin e përbashkët që kishin OEMVP-të dhe organizatat joqeveritare në Tetovë, që sipas tyre tani duhet shikuar alternativa tjera për thithjen e mjeteve.
 
“Është shumë e vështirë, sepse për momentin diku 90 për qind OJQ-të financohen prej BE-së dhe 10 për qind janë projekte të vogla prej shoqatave apo ambasadave tjera. Unë personalisht mendoj se kjo nuk duhet të zgjas shumë, duhet patjetër të gjendet zgjidhje që IPA fondet të lirohen”,- deklaroi Taxhedin Selimi nga OJQ “Milenium”.
 
“Sikurse kalojnë vitet, numri dhe vlera e mbështetjes prej ndërkombëtarëve  bie, me ç’rast ne patjetër e kemi si OJQ-të t`i ngrisin kapacitetet tona duke u mbështetur në një sektor tjetër dënues. Në këtë rast pikësynimi ynë është i dyfishtë, t`i ngritim kapacitetet e OJQ-ve dhe të zhvillohen projekte dhe aktivitete në të mirë të shoqërisë”,- tha Ilir Idrizi nga Fondacioni “Albis”.
 
Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore dhe Fondacioni “Albis”, në bashkëpunim me  Bashkësinë Europiane,  kanë filluar trajnimin e OJQ-ve për të tërhequr fonde nga biznesi vendas.
 
“Sot, këtu, me fondacionin “Albis” jemi bashkë për ta realizuar një nga aktivitet “Qëndrueshmëria financiare e OJQ-ve në bashkëpunim me sektorin e biznesit”. Ideja jonë është që ne ta mundësojmë lidhjen e sektorit të biznesit me OJQ-të që donacionet dhe sponsorimet e tyre të zënë një vend më të madh. Nga përfaqësuesi i “Albis” u dha një përshkrim mbi donacionet dhe mundësitë dhe formën si mund të vihet deri tek këto”,- theksoi menaxheri operativ në OEMVP, Drilon Iseni.
 
Në takimin e sotëm morën pjesë 20 OJQ, dhe takime të tilla do të zhvillohen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë Veriperëndimore.
 
VISAR SADIKI