Ekonomi

Euro-obligacioni prej 650 milionë euro, LSDM: E kemi penguar, nuk ka bazë juridike; VMRO: LSDM-ja me gënjeshtra mundohet të bllokojë

15.07.2016 17:32

Huamarrja e Maqedonisë përmes euro-obligacionit në vlerë prej 650 milionë eurove është shtyrë në kohë të pacaktuar me kërkesë të LSDM-së opozitare...

Dhënia e euro-obligacioneve u anulua pasi që në letrën e dërguar nga LSDM më 14 korrik thuhet se huamarrjet nuk kanë bazë juridike.
 
Ish-zëvendësministri i Financave nga radhët e LSDM-së, Kire Naumov, tha se para për rroga dhe pensione në buxhet ka.
 
Sipas tij, ata kanë penguar lëshimin e euro-obligacionit, për shkak të shpenzimeve joproduktive, korrupsionit dhe krimit.  
                                                  
“Me këtë tempo të huamarrjes, Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE i shtyjnë qytetarët e Maqedonisë drejt kolapsit financiar. Nuk do të lejojmë të bëhet dëm më i madh, me borxhe të reja në shpinë të gjeneratave të ardhme. Nuk do të lejojmë kolaps ekonomik dhe keqpërdorim të parave për kampanjë zgjedhore. Qytetarët duhet ta dine se para për rroga dhe pensione ka”,- deklaroi zëvendësministri i Financave, Kire Naumov. 
 
Ndërsa VMRO-DPMNE në reagim thotë se partia opozitare ka bërë edhe njëherë një krim financiar, duke u munduar që me gënjeshtra dhe të pavërteta të bllokojë lëshimin e euro-obligacionit, e cila është mënyrë e zakonshme e financimit në cilindo shtet të botës. 
 
“LSDM u mundua të shkel në sistemin financiar me qëllim të pengimit të investimeve në çerdhe, shkolla, rrugë, hapje të vendeve të reja të punës dhe projekte tjera”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.  
 
Ndërkohë, analisti ekonomik, Arben Halili, vlerëson se pezullimi i borxhit ka të mirat e saj për shkak se u pengua zhytja në një borxh më të madh financiar, e cila do të kishte pasoja edhe në gjeneratat e ardhshme, mirëpo efekt negativ mund të ketë se këto mjete ishin të parapara për rroga dhe pensione.
 
“Kthesë pozitive nuk do mund ta quajmë, sepse përsëri Maqedonia është e detyruar të gjejë hua, mjete financiare të cilat do t’i shfrytëzonte në aspekt të zbutjes së gjendjes së rëndë ekonomike, por pozitiviteti mund të shihet në atë që u pengua një huamarrje e stërngarkuar për vetë qytetarët dhe që jo të gjithë e kishim të qartë se ku do të shkojnë këto mjete. Në qoftë se këto mjete do shfrytëzoheshin për investime kapitale në infrastrukturë, në hapjen e vendeve të reja të punës, sigurisht se do të ishte e mirëseardhur, por këto mjete për atë çfarë u pretendua se do të përdoren sigurisht se u bë një hap i mirë që u pengua”,- theksoi eksperti ekonomik, Arben Halili.
                                                                                               
Analisti Halili thotë se vendimi i institucioneve financiare është i arsyeshëm, sepse asnjë institucion financiar nuk do të pranonte t’i jepte hua një qeverie që nuk ka likuiditet financiar në nivelin e duhur. 
 
ERSAN PAJAZITI