Botë

Nicë, sulmi terrorist, shkon në 84 numri i viktimave

15.07.2016 17:37

Festa kombëtare e Francës u mbyll tragjikisht. Bilanci tragjik i viktimave shënon 84 vrarë dhe mbi 150 të tjerë të lënduar, prej të cilëve 18 në gjendje më të rëndë...

Mes viktimave raportohet të jenë 10 fëmijë. Incidenti ndodhi në bulevardin buzë detit “Promenade des Anglais”, pikërisht në momentin kur po realizohej një shfaqje me fishekzjarre, e organizuar nga Bashkia me rastin e Ditës së Bastijës. 
 
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Pierre-Henry Brandet, shprehet se“nuk ka persona të marrë peng, ishte një person ai që drejtoi kamionin dhe ai u ekzekutua nga policia gjatë kohës që po drejtonte kamionin dhe gjatë hetimeve të deritanishme nuk dimë nëse ka pasur bashkëpunëtorë të tjerë apo ai vet e ka kryer aktin”.
 
Ndërsa presidenti francez deklaroi se ky mund të jetë sulm i përgatitur terrorist dhe gjithashtu njoftoi për zgjatjen e gjendjes së emergjencës. 
 
“Franca është goditur në ditën e pavarësisë, simbolin e lirisë. Ne solidarizohemi me familjet e viktimave. Kemi vënë në dispozicion gjithçka kemi për të ndihmuar të gjithë të plagosurit. Franca si e tërë është e kërcënuar nga terroristët islamikë. Ne duhet të jemi vigjilentë dhe të mos ulim kokën. Kam vendosur që gjendja e emergjencës që u supozua të përfundonte më 26 korrik, të shtyhet edhe për tre muaj të tjerë”- deklaroi presidenti i Francës, Francois Hollande.
 
Dëshmitarë që kishin qenë të pranishëm përshkruan rastin si tragjik dhe makabër i papritur për të gjithë.
 
“Në fillim mendova se ishte një kamion për mbledhjen e barrierave. Po kur unë pashë se niveli i shpejtësive rritej, vërejta se nuk po mblidhte barrierat, por ishte nisur drejt nesh. Gjithkush ishte duke ecur normalisht, në heshtje dhe papritmas ka pasur një lëvizje nga turma, të gjithë filluan të ulërinin: ikni kamioni!”- u shpreh një dëshmitar.
 
Sulmi në Nicë ka tronditur mbarë botën. Krerë shtetesh e politikanë botërorë i shprehin solidaritetin Francës dhe e cilësojnë atë si një sulm ndaj botës sonë të lirë. 
 
Presidenti, Barack Obama, u shpreh se: “e dënoj me forcë aktin. Kjo ditë e festës kombëtare do të na kujtojë rezistencën e jashtëzakonshme dhe vlerat demokratike që e kanë bërë Francën një vend frymëzues për të gjithë botën”. 
 
Në një deklaratë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara bëhet fjalë për një "sulm terrorist barbar dhe frikacak."
 
“Terrorizmi është një nga kërcënimet më të mëdha për paqen botërore dhe sigurinë ndërkombëtare”,- thuhet në deklaratë. 
 
Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, shkroi: "ne do ta luftojmë brenda dhe jashtë BE-së terrorizmin. Bashkësia ndërkombëtare qëndron e bashkuar kundër dhunës dhe urrejtjes”. 
 
Edhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu mesazh solidariteti deri tek familjarët e personave që humben jetën.“Keqardhja jonë e thellë nuk e kompenson dot kurrë humbjen e kaq shumë jetëve, por në ditë si këto duhet të ketë solidaritet dhe ai i popullit gjerman për miqtë francezë është i pakursyer” .
 
Edhe presidenti Putin e dënoi sulmin si mizor dhe cinik. "Kemi parë më se njëherë që për terrorizmin, morali njerëzor është absolutisht i huaj, viktimat e tij janë civilë të pafajshëm, ndër to gra dhe fëmijë."
 
Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë nuk ka njoftuar për shtetas të Maqedonisë si viktima në mesin e të vdekurve apo të lënduarve në tragjedinë në Nicë të Francës.
 
Nga Ministria e Punëve të Jashtme, përmes një komunikate me shkrim të lëshuar për mediat, njoftojnë gjithashtu se janë në kontakte të vazhdueshme me institucionet  kompetente të Francës dhe se për të gjitha çështjet e lidhura me sigurinë e shtetasve të Maqedonisë, të cilët momentalisht gjenden në Francë, të vihen kontakte me Ambasadën e Maqedonisë në Francë. 
 
GAZMEND REXHEPI