Maqedoni

Konkurs në MPB për 600 policë, Nuhiu: ruajmë përfaqësimin, jo diskriminimit etnik

15.07.2016 17:57

MPB ka shpallur konkurs për pranimin e 600 policëve, ku dhe si do të pranohen kandidatët dhe a ka ndryshime në procedurë për selektimin e kandidatëve?

“Sot është shpallur konkursi për pranimin e 600 policëve të ri, kryesisht për sektorët e MPB-së dhe stacioneve policore në Shkup, në njësitë bazë të MPB-së, në qendrat regjionale për punë kufitare në veri në perëndim dhe në sektore të tjera. Pavarësisht kësaj, unë i ftoj kandidatët e interesuar shqiptarë që të paraqiten në shkallën më të lartë në konkurs, sepse ne, për dallim nga konkurset paraprake, kësaj here kemi parashikuar dy lehtësime, kandidatët nuk do t’i nënshtrohen eseve dhe do të ketë ulje optimale të kushteve për kontollim fizik”,- deklaroi zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu.
 
Më herët ka pasur diskriminim gjatë përzgjedhjes së kandidatëve. Jeni zotuar se më nuk do të lejoni diskriminim sa u përket kandidatëve shqiptarë? Si do ta bëni këtë? 
 
“Unë kam ngritur këtë shqetësim që me ardhjen time në MPB. Të gjithë duhet të angazhohemi jo vetëm për barazi formale, por edhe për barazi substanciale. Kjo nënkupton që ne duhet patjetër të kemi barazi të mundësive dhe të shanseve të barabarta. Këto shqetësime i kam ngritur edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, por edhe me anëtarët tjerë të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë që të mos ndodh një gjë e tillë”. 
 
A do të përmirësohet përfaqësimi i shqiptarëve në MPB?
 
“Unë shpresoj që të përmirësohen pozitat e shqiptarëve në MPB. Shfrytëzoj rastin që nëpërmjet shtëpisë tuaj televizive të kumtoj lajmin që sot kemi kaluar 30 avancime në MPB dhe këta janë të gjithë shqiptarë”.
 
GAZMEND KURTISHI