Maqedoni

Bisedimet e Përzhinës, Bejli është optimist: Bisedimet drejt suksesit

15.07.2016 18:11

Bisedimet e Përzhinës u mbyllën pa marrëveshje, por me optimizëm se javën tjetër mund të kenë sukses...

Pas takimeve disaorëshe në rezidencën e BE-së, ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli, tha se gjatë takimit është biseduar për çështje mjaft të ndjeshme dhe për shkak të rëndësisë së tyre iu është dhënë partive politike që gjatë fundjavës t’i analizojnë çështjet për të vazhduar javën tjetër me takime.
 
Ambasadori Bejli tha se nëse ekziston vullnet politik mund që të arrihet marrëveshje që Maqedonia të ecë përpara.
 
“Ne kishim përparim, biseduam për çështje mjaft të ndjeshme dhe vendosëm që t’u lëmë partive politike të mendojnë për këto çështje gjatë fundjavës. Do t’i vazhdojmë bisedimet javën e ardhshme. Mbetem optimist se nëse ekziston vullnet politik, këto çështje mund të zgjidhen dhe Maqedonia do të lëviz përpara. Unë dhe kolegu im Orav dëshirojmë ta shohim këtë dhe mbetemi optimistë se kjo akoma mund të ndodh. Pasi bëhet fjalë për çështje të rëndësishme, e pamë të arsyeshme t’u jepet edhe pak kohë”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli.
 
Jozyrtarisht mësohet se pika më diskutabile është çështja e kompetencave të ministrit të Punëve të Brendshme.
 
LSDM ka kërkuar që ministrit t’i kthehen kompetencat për ndryshime dhe emërime të kuadrit brenda Ministrisë.
 
VMRO–DPMNE kërkon që këto kompetenca ministri t’i ndajë me zëvendësin e tij. 
 
Mësohet se palët në bisedime kanë arritur të përafrojnë qëndrimet për 40 mijë votuesit e kontestueshëm, që ata pas thirrjes publike të paraqiten, në të kundërtën mund të shlyhen nga lista zgjedhore.
 
Edhe për mediat thuhet se është rënë dakord që ato 100 ditë para zgjedhjeve të mbikëqyren nga trup i posaçëm pesëanëtarësh, katër të propozuar nga partitë politike, ndërkaq anëtari i pestë do të përzgjidhet me marrëveshjen e anëtarëve të tjerë.
 
MERAL ISMAILI