E pranishme dhuna ndaj të pandehurve, avokatët: Kemi dëshmi për aktakuzë ndaj njësitit

16.07.2016 17:07

Edhe me tej vazhdojnë keqtrajtimet e te arrestuarve per rastin “Lagja e Trimave" ...

Edhe me tej vazhdojnë keqtrajtimet  e te arrestuarve per rastin  “Lagja e Trimave" nga ana e njesitit policor special.

Të akuzuarit edhe javën që lam pas janë ankuar tek avokatët e tyre  për dhunë fizike dhe psiqike, që të njejtëve u ushtrohet vazhdimisht, dhe në vecanti gjatë transportit në seancat gjyqësore. 

Institucionet kompetente thonë që merren me hetimin e rastit , por deri më tani akoma nuk ka një epilog përfundimtarë se cila është e vërteta.  Pavarësisht kësaj, avokatët mbrojtës  alarmojnë në vazhdimësi  se personat e privuar nga lirija për rastin e Kumanovës,  ankohen që brutalisht po dhunohen nga njesiti special gjatë trasportit në gjykatë. 

“Ju vetë e dini që rasti është pak sensitiv . Sipas meje mund të jetë një lloj revanshizmi nga ana e njësisë  speciale, se pasojat i ka pas konkretisht njësia speciale dhe marrë parasysh gjendjen që këto fyhen dhe shahen në bazë etnike dhe fetare mund të jetë edhe një farë mos durimi etnik mund të them lirisht që është albanofobia në pyetje” – deklaroi avokati, Naser Raufi.

Avokati Naser Raufi,  përgjegjësinë  e pare e adreson te MPB, sepse ato sipas ligjit janë të detyruar që të bëjnë hetimin e duhur se çka ka ndodhur dhe cilt janë fajtorët. Sipas Raufit MPB nuk ka ndërrmarr as një hap që të zbardh rastin dhe të dënoj fajtorët.

“Fillimisht ato duheshte të lajmërojn prokurorinë. Këtu nuk kemi reagim prej as një institucionit, përveç që mendoj se prokuroria dhe prokurori që e ka lëndën besoj sedo të del më një aktakuzë. Se për mua nuk është vështirë  të konstatohet se kush janë ato të njësisë speciale që i kanë përcjell. Kemi këtu dokumente zyrtare, kemi orarin e punës dhe nuk shoh ndonjë problem që të ngrihet aktakuzë, kemi lëndime kemi dëshmi” – deklaroi avokati, Naser Raufi.

Zv.ministri i MPB-së, Agim Nuhiu thotë se ai ka kërkuar që të xhirohet  transportimi i të pandehurve nga burgu deri në gjykatë dhe anasjelltas, me qëllim të  zbardhjes  të të vërtetës por edhe parandalimin eventual të keqtrajtimit fizik dhe psiqik.

“Unë kam kërkuar zgjidhje sistemore gjatë gjykimit të djeshëm ne kemi dokumentuar përkatësisht kemi bërë incizimin e gjitha veprimeve te policisë te cilet kane qene te angazhuar për transportin e të akuzuarve nga burgu deri ne gjykate. Kjo eshte nje prove materiale,të gjithe ata të cilet kanë vepurar jashta standardeve profesionale sigurisht qe do te pergjigjen, kjo është zgjidhja sistemore që kemi nisur të aplikojme edhe gjate transportit të akuzuarve për rastin e Kumanovës” – tha zv.ministri i punëve të brendshme,  Agim Nuhiu.

Edhe pse të akuzuarit në rastin e Kumanovës , por edhe vetë avokatët mbrojtës ankohen se klientet e tyre  keqtrajtohen nga njesitet policore speciale, Ministria e Drejtësisë, përmes një komunikate me shkrim  mohon një gjë të tillë duke shtuar se është në kontakte të vazhdueshme me  të gjithë udhëheqësit e burgjeve në Shkup, Prilep dhe Manastir, si dhe me avokatët mbrojtës të të akuzuarve,  dhe të gjitha palët kanë konfirmuar  se të pandehurit se nuk janë maltretuar në paraburgim. (Sanije Kasami, TVM2)