Mbështetje për politikat e Erdogan, grushti u dënua nga liderët ndërkombëtarë

16.07.2016 17:28

Dhunën që përfshiu Turqinë e dënuan liderët ndërkombëtar...

Dhunën që përfshiu Turqinë e dënuan liderët ndërkombëtar, si dhe bënë thirrje për qetësi.

Mbështetje për qeverinë turke kanë ardhur nga Shtëpia e Bardhë, ku presidenti amerikan Barak Obama  u bëri “thirrje palëve të tregohen të përmbajtura dhe të shmangin dhunën e gjakderdhjen në Turqi, një aleat kyç dhe një pjesëtar i rëndësishëm strategjik i koalicionit që lufton kundër Shtetit Islamik”.

Keri , i cili gjendet në një vizitë në Rusi zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm turk, duke i shprehur mbështetjen absolute qeverisë civile dhe institucioneve demokratike. "Shtetet e Bashkuara ndjekin me shqetësimin më të madh ngjarjet në Turqi”, ishte deklarata e Kerrit.

Gjithashtu edhe Kremlini zyrtar ka reaguar, Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov theksoi nevojën për të evituar gjakderdhjen duke thënë se problemet në Turqi duhet të zgjidhen në përputhje me kushtetutën.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “Moska është thellësisht e shqetësuar nga raportime që vijnë nga Turqia, duke thënë se prioritet ishte sigurimi i institucioneve ruse dhe qytetarëve në shtetin me shumicë myslimane”.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki Moon bëri thirrje për qetësi, siç bëri të ditur një zëdhënës i organizatës.

Edhe shefi i i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se “Turqia ështe një aleat i vyer duke kërkuar rivendosjen e rendit dhe qetësisë dhe respektimin e plotë të institucioneve demokratike”.

Shefja e politikes së Jashtme të BE, Federika Mogerini apeloi për qetësi dhe respektim të institucioneve demokratike Irani u shpreh thellësisht i shqetësuar për situatën, ndërsa shteti i Katarit, një aleat kyç i Turqisë denoncoi dhe dënoi përpjekjen e dështuar për grusht shteti.

Bullgaria ka shtuar patrullimet përgjatë kufirit me Turqinë dhe u bëri thirrje qytetarëve të saj të mos udhëtojnë në vendin fqinj.

Kryeministri Boiko Borisov zhvilloi bisedime me përfaqësues të shërbimeve sekrete lidhur me situatën.

Nuk ka munguar as reagimi i Ministrit të Jashtëm britanik Boris Xhonson, i cili u shpreh thellësisht i shqetësuar për ngjarjet.

Mesazh solidarizues Turqisë i ka shprehur edhe kryeministri shqiptar Edi Rama, “I lumtur per popullin vella te Turqise dhe mikun e çmuar  Presidentin Erdogan për daljen me sukses të plotë nga një natë tejet e vështirë!”, ka thënë Edi Rama përmes rrjetit Tuiter. (Vlora Latifi – Topojani, TVM2)