Familja Ajdini bëhet me shtëpi
Pas 12 vite të kaluara me qera, ëndrra për të pasur shtëpinë e tyre bëhet realitet. Valon quhet njeriu që ua ndryshoi jetën, ata nuk e njohin, vetëm e dinë që gjithçka e kanë prej tij.......

Zemërmirët arritën ta kthejnë buzëqeshjen në familjen Ajdini nga Kumanova. Pas 12 vite të kaluara me qera, ëndrra për të pasur shtëpinë e tyre bëhet realitet. Valon quhet njeriu që ua ndryshoi jetën, ata nuk e njohin, vetëm e dinë që gjithçka e kanë prej tij.
“Nuk e njoh Valonin, vetëm me emër, ai e ka parë emisionin dhe më ka telefonuar, më ka pyetur se si i kemi kushtet, më ka pyetur se sa vite jetoj me qera dhe pas 10 ditësh më ka telefonuar, vendin ma ka bërë burri i motrës sime, pasi vendin e kanë siguruar, më ka thënë thuaj burrit tënd dhe fëmijëve se shtëpinë do t’ua ndërtoj unë, pas 3-4 ditë sërish më ka telefonuar dhe më ka thënë se nesër ua sjell punëtorët, në ora 7 të mëngjesit dilni pritni punëtorët dhe dërgoni ku e keni vendin dhe do të filloni me ndërtimin e shtëpisë”, u shpreh Ismete Ajdini.
Për bamirësit e tyre të panjohur, ata kanë vetëm falënderime.
“Ndjehem shumë e lumtur, nuk di si ta shpreh këtë lumturi, këtë gëzim që më keni ndihmuar, pra shkak për të më ndërtuar shtëpinë jeni ju, keni dashtë dhe më keni ndihmuar me zemër, keni qenë dy herë dhe keni parë vetë si kam jetuar dhe ku kam jetuar, 12 vite me qera prej shtëpie në shtëpi, ku kam jetuar ka qenë keq e më keq, tash falënderoj njëherë Zotin që e ka bërë të mundshme, falënderoj ekipin e TVM2, shkaktar për ndërtimin e shtëpisë keni qenë ju, falënderoj të gjithë që më kanë ndihmuar, falënderoj pronarin e shtëpisë, Valonin nga Shkupi”, shtoi Ismete Ajdini.
Falë humanistëve, ata kanë arritur të operojnë edhe djalin e tyre, i cili nuk ka mundur të shikojë qartë. Dhe rasti i familjes Ajdini është pasqyra më e mirë se si ndihmohen të tjerët, jo për tu dukur e mburrur, por vërtetë nga keqardhja dhe nga zemërgjërësia. (Rina Turkeshi, TVM2)
