BDI hedh poshtë akuzat e PDSH-së

03.04.2014 19:14

BDI ka hedhur poshtë akuzat e PDSH-së në adresë të ministrave të Mbrojtjes nga radhët e partisë së Ahmetit.........

BDI ka hedhur poshtë akuzat e PDSH-së në adresë të ministrave të Mbrojtjes nga radhët e partisë së Ahmetit. Sipas kësaj partie, sulmet e njëpasnjëshme të partisë së Menduh Thaçit, kanë motive dhe qëllime antishqiptare. “PDSH-së i pengojnë arritjet e BDI-së në këtë dikaster”, - thotë Hisen Xhemaili.

“A i pengon partisë së Thaçit fakti se sot: komandanti i njësisë speciale “RENXHERS” është një ish-komandant i UÇK-së, mbishkrimi në tabelën zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes shkruhet shqip, në kohën e BDI-së; nderohen zyrtarisht Dëshmorët e Kombit në kohën e BDI-së; Apo ndoshta Menduh Thaçit i pengon që në poligonin ushtarak “Krivollak” stërviten pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Kosovës?”, u shpreh Hisen Xhemaili nga BDI.

Sipas selisë blu, PDSH me këtë qasje po përpiqet të dëmtojë imazhin e ministrave shqiptarë të mbrojtjes, si dhe krijon alibi për palën maqedonase, që në të ardhmen të mos pajtohet që ky dikaster të drejtohet nga një ministër shqiptar.

“A është kjo fushatë sulmesh, përgatitje e alibisë së partive maqedonase, për të mos u pajtuar nesër me drejtimin e Ministrisë së Mbrojtjes nga një ministër shqiptar apo sipas indikacioneve tona edhe më e rëndë, kjo është pjesë e skenarit për të penguar përcaktimin tonë të pakthyeshëm për të marrë një nga tre postet drejtuese në shtet? Por, publikisht ia bëjmë me dije Menduh Thaçit dhe porositësve të tij, se nuk ka forcë dhe skenar që mund ta pengojë këtë përcaktim të Bashkimit Demokratikë për Integrim”, shtoi Xhemaili.

Xhemaili pyeti PDSH-në nëse i pengojnë arritjet e BDI-së në Ministrisë së Mbrojtjes, siç është punësimi i 1400 të rinjve shqiptarë në ARM, punësimi i 143 shqiptarëve në Ministrinë e Mbrojtjes, gradimi dhe avancimi i oficerëve shqiptarë, si dhe shndërrimi i kazermave në universitete shqiptare. (Shpetim Nuredini, TVM2)