Botë

Turqi, vazhdojnë arrestime pas përpjekjes për grushtshtet

18.07.2016 17:08

Autoritetet turke kanë arrestuar 103 gjeneralë dhe admiralë pas përpjekjes së dështuar për grushtshtet më 15 korrik...

Autoritetet turke kanë arrestuar 103 gjeneralë dhe admiralë pas përpjekjes së dështuar për grushtshtet më 15 korrik, ka bërë të ditur media shtetërore të hënën.
 
Mbi 6,000 veta janë arrestuar në total, ndërsa presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se “spastrimi” do të vazhdojë.Afro 8,000 policë janë pezulluar nga puna po ashtu.
 
Qeveria tha se 208 njerëz, përfshirë 145 civilë, janë vrarë në dhunë. Partia Popullore Republikane në opozitë ka thënë se përgjigjja e autoriteteve ndaj përpjekjes për grushtshtet duhet të bëhet në përputhje me sundimin e ligjt.
 
Kjo parti ka thënë se të dyshuarit për puç duhet të gjykohen nga gjykatat dhe se ushtria nuk duhet të portretizohet si armike.Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ekziston mundësia që në këtë vend të kthehet dënimi me vdekje pas përpjekjes për grushtshtet nga një pjesë e ushtrisë së vendit.
 
Bashkimi Evropian i ka kujtuar Turqisë se duhet të veprojë në përputhje me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut dhe të mos e rikthejë ndëshkimin me vdekje.
 
“Asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian nëse zbaton dënimin me vdekje”, shprehet Federica Mogherini - shefe e politikës së jashtme të BE-së.
 
Sekretari amerikan I shtetit sa I perket ekstradimit te fetulla gylenit thot se ende nuk eshte poaraqitur kerkesa për ekstradimin e kreut të organizatës terroriste FETO, Fetullah Gulen, në qoftë se provat e ofruara përputhen me standardet ai do tw ekstradohet.
 
“Ende nuk kemi marrë kërkesë ekstradimi në lidhje me Gulenin. Presidenti Erdogan para opinionit kërkoi nga SHBA-të ekstradimin e tij. Unë i thash ministrit të Jashtëm të Turqisë se është e nevojshme që kërkesa e tillë të bëhet në baza ligjore përmes kanaleve të përshtatshme dhe në mënyrë formale. Gjithashtu i thash se në dosjen për ekstradim duhet dërguar prova, dhe jo akuza”, shprehet sekretari amerikan i shtetit John Kerry.
 
Koalicioni që udhëheq SHBA-ja kundër grupit militant Shteti Islamik ka rinisur sulmet ajrore nga Turqia.
 
Ato janë pezulluar përkohësisht, për shkak të përpjekjes së dështuar për grushshtet në Turqi, më 15 korrik.
 
Turqia, një aleat i madh i Uashingtonit në rajon, ka lejuar SHBA-në të përdorë bazën e saj ajrore Inxhirlik në qytetin Adana, për të kryer sulmet kundër Shtetit Islamik.
 
GAZMEND REXHEPI