Maqedoni

Samuel Zhbogar, ambasador i ri i BE-së në Maqedoni

18.07.2016 17:44

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, të Sllovenisë dhe Përfaqësues special aktual i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar është shefi i ri i delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë...

Edhe pse nga Bashkimi Evropian dhe nga Shërbimi evropian për punë të jashtme akoma nuk dëshirojnë zyrtarisht të konfirmojnë, pasi janë duke përgatitur kumtesë në të cilën do t'i publikojnë të gjithë 15 ambasadorët e rinj të BE-së në vendet e Ballkanit dhe rajonit më të gjerë, megjithatë, slloveni javën e kaluar ka kaluar me sukses në seancën dëgjimore para Komitetit për punë të jashtme  të Parlamentit Evropian dhe mori leje nga 1 shtatori ta ndërmarrë funksionin nga Aivo Orav në Shkup.

Gjithashtu, definitive është se Zhbogar nuk do ta ketë funksionin e dyfishtë shef i delegacionit të BE-së dhe Përfaqësues special i BE-së që deri më tani e kishte në Kosovë, por se vetëm do të jetë ambasador i BE-së në Republikën e Maqedonisë.

Që të jetë Përfaqësues special duhet të zgjidhet edhe në Këshillin Evropian, me ç'rast nuk ka vullnet te një pjesë e vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian prandaj mbetet vetëm ta trashëgojë estonezin, Orav. Krahas ardhjes së Zhbogarit si ambasador i ri i BE-së në Maqedonisë, nga seanca dëgjimore e PE-së dihet se shefi aktual i delegacionit të BE-së në Maqedoni, Aivo Orav, largohet si ambasador i BE-së në Podgoricë, Mal të Zi.

Ndryshe, në karrierën e tij 22-vjeçare si diplomat, Samuel Zhbogar është kyçur në të gjitha projektet më të mëdha politike të politikës së jashtme sllovene.

Në vitin 1993, ai e hapi ambasadën sllovene në Kinë ku ka punuar deri në vitin 1995. Në periudhën midis vitit 1997 dhe 2001, ai ishte zëvendësmabasador i Sllovenisë në Kombet e Bashkuara  në Nju-Jork dhe zëvendës i Përfaqësuesit të përhershëm të Sllovenisë në Këshillin e Sigurimit të KB-së kur sllovenia ishte anëtare e përkohshme në vitin 1998 dhe 1999.

Në vitin 2004, ai u emërua ambasador i Sllovenisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa gjithashtu ka qenë edhe pjesë e grupit për negociata për anëtarësimin e Sllovenisë në BE dhe kryenegociues për anëtarësimin e kësaj ish-republike Jugosllave në NATO. Pas kthimit nga Uashingtoni, në tetor të vitit 2008 Zhbogar u bë drejtor i Institutit për studime strategjike në Lubjanë.

Në dhjetor të vitit 2011, Kethrin Eshton, përfaqësuese e lartë e atëhershme për politikë të jashtme dhe të sigurisë të BE-së e emëroi Zhbogarin shef të zyrës së BE-së në Kosovë, si përfaqësues special të BE-së. Me këtë, ai u bë funksionari i parë i lartë slloven në Shërbimin Evropian të Punëve të Jashtme.

GAZMEND REXHEPI