BE: Turqia të refuzojë dënimin me vdekje, kushtëzon anëtarësimin
Shtetet anëtare të Bashkimit Europian i kanë bërë thirrje autoriteteve turke....

Shtetet anëtare të Bashkimit Europian i kanë bërë thirrje autoriteteve turke, duke përfshirë policinë dhe forcat e sigurisë, që të tregohen më të përgjegjshëm pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit.
“Duhet të shmanget dhuna e mëtejshme për të mbrojtur jetën e njerëzve dhe për të rivendosur qetësinë”,- kanë thënë ministrat e Jashtëm të BE në një deklaratë pas takimit të hënën në Bruksel.
“BE-ja bën thirrje për respektimin e plotë të rendit kushtetues të Turqisë dhe thekson rëndësinë e sundimit të ligjit mbizotërues”, -thanë ministrat duke theksuar se “është shumë e rëndësishme për të siguruar respektimin e plotë të të gjitha institucioneve demokratike të vendit, duke përfshirë qeverinë e zgjedhur dhe Asamblenë e Madhe Kombëtare të Turqisë”.
Ata shtuan se refuzimi i dënimit me vdekje është një element thelbësor i kushteve të bllokut për anëtarësim. Presidenti, Rexhep Tajip Erdogan, ka thënë se Turqia mund të rikthejë dënimin me vdekje, që u hoq në vitin 2004.
Turqia, tashmë anëtare e NATO-s, aspiron të bashkohet me BE-në.
