Clinton para Trump, sondazhet në prag të zyrtarizmit të kandidatëve

19.07.2016 12:27

Pas mbylljes së betejës së nominimit në kampin e partisë së saj....

Pas mbylljes së betejës së nominimit në kampin e partisë së saj, shënjestra e sulmeve të Hillary Clinton tani është rivali republikan, Donald Trump, të cilin nuk e kurseu nga shpotitë e saj gjatë fjalës së mbajtur përpara një organizate latino-amerikane në Uashington D. C.

“Donald Trump është totalisht i papërshtatshëm për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara”,- tha Clinton.

E ndërsa Konventa republikane zhvillohet javën që vjen, një sondazh opinioni vë shenjën e barazimit mes preferencave për ish-sekretaren e Shtetit dhe miliarderin njujorkez.

Anketimi i fundit i jep secilit kandidat 40% të votave, në një kohë kur muajin e kaluar Clinton ishte në avantazh me 6 pikë përqindje. Marzhi i gabimit në sondazhin e realizuar në rang kombëtar nga “CBS News/New York Times”, është 3%. Nga ana tjetër, sondazhi i realizuar nga “Uashington Post” dhe “ABC News” vazhdon t’i japë epërsi ish-zonjës me një diferencë prej katër për qind të votave.

I nominuari i supozuar republikan shkaktoi indinjate me deklaratat e lëshuara në fillimin e fushatës së tij kur tha se Meksika dërgon përtej kufirit përdhunues e trafikantë droge e u zotua të ndërtojë një mur në kufi për të frenuar emigracionin e paligjshëm.