Bisedimet për krizën zhvendosen në rezidencën e ShBA-ve

19.07.2016 12:47

Partitë politike as gjatë punimeve ditën e djeshme nuk arritën gjuhë të përbashkët.....

Partitë politike as gjatë punimeve ditën e djeshme nuk arritën gjuhë të përbashkët për të vetmen pikë që pamundëson implementimin e Marrëveshjes së Përzhinës.

Bisedimet dje kanë vazhduar në rezidencën e ShBA-ve, për shkak të mungesës nga vendi të ambasadorit të BE-së, Aivo Orav, i cili është në konsultime në Bruksel. VMRO dhe LSDM edhe sot negociojnë rreth kompetencave të ministrit të Brendshëm.

Ndërkohë, në rezidencën e ShBA-së kanë shkuar edhe aktivistët e “Revolucionit shumëngjyrësh”, të cilët kërkojnë kyçjen e tyre në bisedime. Nga Revolucioni paralajmëruan radikalizmin e protestave nëse ata nuk kyçen në bisedimet për zgjidhjen e krizës së thellë politike. 

Ambasadori amerikan, Xhes Bejli, ka thënë se janë shumë afër marrëveshjes dhe se pret që bisedimet të marrin fund me një takim liderësh deri në fund të javës. Ambasadori Bejli ka thënë gjithashtu se ShBA dhe BE janë mike te përkushtuara maksimalisht që vendi të tejkalojë krizën, andaj implementimi i marrëveshjes së Perzhinës është shumë i rëndësishëm për Maqedoninë. Grupet punuese pritet që punimet t’i vazhdojnë edhe sot.