Turqi, Erdogan: I gatshëm ta rivendosë dënimin me vdekje nëse kjo është dëshirë e popullit

19.07.2016 13:15

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, deklaroi se është i gatshëm ta rivendosë dënimin....

Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, deklaroi se është i gatshëm ta rivendosë dënimin me vdekje nëse populli e dëshiron një gjë të tillë dhe parlamenti e aprovon këtë ligj të nevojshëm.

Këto komente ai i bëri para simpatizantëve të mbledhur tek rezidenca e tij në Stamboll të cilët kërkonin rikthimin e dënimit kapital.

“Turqia është një shtet demokratik i drejtuar nga sundimi i ligjit. Unë jam i gatshëm ta vendos sërish këtë dënim nëse populli e kërkon dhe parlamenti miraton legjislacionin. Nuk mund të bëhet veshi shurdh përpara kërkesave të popullit. A mos vallë Amerika vetë nuk e ka dënimin me vdekje? Apo Rusia? Apo Kina? Apo shtete të tjera anembanë botës? Të vetmet që nuk e kanë dënimin kapital janë vendet e Bashkimit Europian”,- deklaroi  presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Turqia e hoqi në 2004-ën dënimin me vdekje në vazhdën e përpjekjeve të saj për t’u bërë pjesë e BE-së. Një ditë më parë, kreu i shtetit i përshkroi si dashakeqësi pretendimet se po e përdor puçin e dështuar ushtarak për të shtypur kundërshtarët e tij politikë.

Të hënën, njeri prej të akuzuarve si organizator të grushtit, komandanti i Forcave Ajrore, gjeneral Akin Ozturk, doli përpara gjykatës, ku ndryshe nga sa raportoi Agjencia e lajmeve “Anadolli”, mohoi çdo përfshirje në rebelim.

Ndryshe, shtetet anëtare të BE-së i kanë bërë thirrje autoriteteve turke, duke përfshirë policinë dhe forcat e sigurisë që të tregohen më të përgjegjshëm pas tentativës së dështuar të grushtit të shtetit. (Gazmned Kurtishi, TVM2)