Tiranë, zhvillimet për reformën
Dy ditë para miratimit të reformës në Kuvendin e Shqipërisë...

Dy ditë para miratimit të reformës në Kuvendin e Shqipërisë, palët politike po zhvillojnë takime intensive me njëra-tjetrën si dhe me diplomatët e huaj.
Duket se këto lëvizje janë intensifikuar pasi ambasadori amerikan paralajmëroi politikën se do të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë nga mosmiratimi i reformës në drejtësi.
“Dy javë më parë dëgjova me zë të fortë nga Basha dhe Bylykbashi se nëse e zgjidhnim paragrafin 88, ata do ta votonin reformën që të nesërmen. Më 9 korrik e zgjidhëm paragrafin 88. Në fund, Rama u dorëzua dhe u ofroi atyre saktësisht atë që Basha kishte kërkuar, një proces përzgjedhjeje të quajtur 6 plus 6. Por, kjo nuk mjaftonte. Tani për herë të parë ata thonë se për shkak të sovranitetit kombëtar nuk mund të pranojmë që të huajt të bëjnë vlerësimin për kualifikimin e komisionerëve. Kjo është e çuditshme. Në 19 maj Basha na tha ne dhe ambasadores Vlahutin se të huajt ishin të vetmit persona që mund ta pastronin peshkun nga koka. Ua tha të njëjtën gjë edhe deputetëve të PE-së Kukan e Flanckerstein. Bylykbashi e përfshiu këtë në propozimin e tij zyrtar të shkruar që na dërgoi. Dhe tani papritur po ndryshojnë qëndrimin e tyre”,- deklaroi ambasadori i ShBA-së, Donald Lu.
Por, kryeministri, Edi Rama, tha se koalicionit i tij do të votojë pro reformës. Kreu i Kuvendit tha gjithashtu se nuk del nga Parlamenti të enjten pa e votuar reformën.
“Kam qenë, jam dhe do të jem, deri në orën 10:00 të datës 21 korrik, i gatshëm për konsensus. Propozimi hibrid i paraqitur nga Nuland është e vetmja mundësi për konsensusin parlamentar të 21 korrikut. E rikonfirmoj se deri në orën 10:00 të 21 korrikut, gatishmëria për të gjetur zgjidhje për këtë propozim tashmë është e plotë. Në 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë është shumë e qartë, ose të votojmë në emër të Shqipërisë dhe njerëzve të këtij vendi për të shpëtuar nga kthetrat e atyre që kanë marrë peng këtë vend, ose të veprojmë sipas frikës duke lejuar këtë pengmarrje shekullore, ose të votojmë faqebardhë për të mundësuar çeljen e negociatave e të ulemi në tryezën e BE-së”,- tha kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, sërish duket pesimist. Pasi u duk se palët arritën një marrëveshje, sërish janë bërë hapa prapa. Basha tha se reforma do të votohet vetëm sipas Komisionit të Venecias.
“Ramës i përgjigjem pozitivisht për ftesën për konsensus. Negociatorët tanë do të jenë në tavolinë prej orës 14:00 për të përfunduar atë që nisëm, por u zhbë në orën 03:00 të mëngjesit për kryeneçësi apo prej arrogancës. S'mund të mbahet peng një produkt konsensual. PD do të jetë me votat e saj, me mbështetjen e saj ashtu siç jemi përkushtuar para ShBA-së, para znj. Nuland, zotit Brok apo Fleckenstein, të cilin e kisha në zyrë një ditë më parë për të votuar këtë reformë historike. Këto dy pengesa duhet të çmontohen. E fundit është një trill, e para është një standard i denjë për juntat ushtarake. Ekspertët tanë po finalizojnë punën për 7 projektligjet",- theksoi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
Komisionari për zgjerim, Johanes Han, tha se nëse nuk arrihet konsensusi, duhet të bëhet referendum. Votimi i reformës për drejtësi do të nisë të enjten në orën 10.00 paradite. (Luljeta Ndoka, TVM2)
