Maqedoni

Kriza politike, bisedimet pa marrëveshje, vazhdojnë nesër

19.07.2016 17:01

Edhe përkundër optimizmit për arritjen e marrëveshjes, bisedimet edhe sot përfunduan pa rezultate...

Për dallim nga ditët tjera, takimi i sotëm në klubin e deputetëve zgjati vetëm dy orë. Përfaqësuesit e partive politike nuk u prononcuan pas takimit përpos ambasadorit të ShBA-ve, Xhes Bejli, i cili paralajmëroi vazhdimin e bisedimeve nesër.
 
“Vazhduam bisedimet, ekziston vullnet për gjetjen e zgjidhjes mbi çështjet e shtruara. Nuk kemi marrëveshje, por do të vazhdojmë nesër”,- deklaroi ambasadori i ShBA-ve, Xhes Bejli.
 
Paraprakisht, partitë politike dolën me qëndrime të kundërta. VMRO-DPMNE e akuzon LSDM-në se ka refuzuar propozimet e tyre. Ndërkaq, nga LSDM thonë se VMRO-ja ikë nga zgjedhjet dhe Marrëveshja e Përzhinës.
 
“VMRO-DPMNE gjithë kohën po i afrohet qëndrimit të LSDM-së, ndërkaq LSDM nuk bën kurrfarë hapi drejt marrëveshjes. Propozimi ynë është mjaft racional. Nëse LSDM fiton në zgjedhjet e ardhshme, nuk ka nevojë ministrat e tyre dhe zëvendësit të largohen nga funksionet, në rast se humbin atëherë është e nevojshme të largohen”,- tha Nikolla Todorov nga VMRO-DPMNE.
 
“Po bëhet e qartë se VMRO-DPMNE ikë nga zgjedhjet e rregullta, fer dhe demokratike, ikë nga Marrëveshja e Përzhinës, ikë nga zbatimi, nga gjithçka që u premtua vitin e kaluar dhe këtë vit. Për shkak të kësaj kishin nevojë të ndryshojnë ligjet që kanë të bëjnë me ministrin e Punëve të Brendshme dhe për shkak të kësaj kanë nevojë që të problematizojnë të gjitha çështjet që u përmbyllën në 2015-ën. U qartësua se partia në pushtet kërkon arsye të mos ketë marrëveshje, pasi që kur nuk ka marrëveshje atëherë ata mund të vazhdojnë të gjuajnë në mjegull”,- theksoi Radmilla Sheqerinska nga LSDM.
 
Ndërkaq, nga BDI shprehen optimistë se zgjidhja është shumë afër nëse partitë maqedonase tejkalojnë vetveten.
 
“Datë e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit është 11 dhjetori, pasi që të gjitha datat tjera janë të pamundura. Shpresoj se dy partitë maqedonase, VMRO dhe LSDM, do të tejkalojnë veten, pasi dallimet janë minimale. Shpresoj që më së voni deri nesër të arrijmë marrëveshje”,- tha Artan Grubi nga BDI.
 
Tanimë disa ditë temë e bisedimeve të grupeve të punës është çështja e kompetencave të ministrit të Punëve të Brendshme dhe mandati i tij në qeverinë teknike.
 
Përderisa VMRO kërkon që ministri të ketë kompetenca të kufizuara në emërimin dhe shkarkimin e kuadrit udhëheqës në MPB dhe gjithashtu ai të largohet menjëherë pas zgjedhjeve në rast se LSDM humb zgjedhjet, kjo për LSDM-në është e papranueshme, pasi bie ndesh me Marrëveshjen e Përzhinës.
 
MERAL ISMAILI