Maqedoni
Haziri: vendkalimi kufitar Bellanoc–Stançiç, perspektivë e popullatës nga të dyja anët
19.07.2016 17:32
Vendkalimi kufitar Stançiç–Bellanoc nuk do të shërbejë vetëm për komunikim dhe lëvizje të lirë të qytetarëve...

Vendkalimi kufitar Stançiç–Bellanoc nuk do të shërbejë vetëm për komunikim dhe lëvizje të lirë të qytetarëve, por edhe të mallrave, tha gjatë takimit të sotëm kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, me homologun e tij në Kumanovë, Zoran Damjanovski. Kriza politike në Maqedoni e ka ngadalësuar pak procesin edhe pse Qeveria e Maqedonisë e ka kryer ratifikimin e marrëveshjes.
“Meqë çështja kryesore e shpronësimeve dhe ratifikimit është kryer, tash është çështje teknike, pengesa dhe barriera politike nuk ka, vullneti i të dyja palëve ekziston. Presioni im dhe i Damjanovskit do të jetë që sa më shpejt të hapet vendkalimi kufitar dhe njerëzit lirshëm ta shfrytëzojnë. Unë thashë se lëvizja e lirë e njerëzve dhe mallrave deri në 3.5 tonelatë është paraparë të kalojë në këtë vendkalim kufitar. Nuk po flasim vetëm për komunikim dhe kalim të njerëzve, por edhe të mallrave. Natyrisht, Kumanova dhe Gjilani kanë edhe lidhje familjare, andaj imputo në zhvillimin e biznesit është shumë i rëndësishëm për kompanitë e Gjilanit dhe Kosovës. Një lidhje e drejtpërdrejtë e Gjilanit dhe Kumanovës mundëson një komunikim shumë më të mirë të arsimit, kulturës, bujqësisë dhe ekonomisë në përgjithësi, e veçanërisht biznesit privat”- deklaroi kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Gjatë takimit u bisedua edhe për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërkufitar në kuadër të mikro rajonit Gjilan-Preshevë-Kumanovë dhe Tërgovishtë, që është projekti më i mirë dhe më i madh nga Ballkani perëndimor e që mund të dërgohet në Bruksel dhe mund të punohet në projekte të përbashkëta bashkëpunimi në thithjen e fondeve të ndryshme.
Ndërkohë që kreu i Kumanovës, Zoran Damjanovski, paralajmëroi binjakëzimin e shpejtë të qyteteve të Kumanovës dhe Gjilanit.
NEXHAT AQIFI
