Maqedoni
Analistët: intervenimi i ndërkombëtarëve do të sjellë rezultate pozitive
19.07.2016 17:52
Analistët politik shpresojnë se intensifikimi i bisedimeve të grupeve të punës lidhur me Marrëveshjen e Përzhinës do të sjellë rezultate pozitive ditëve në vijim...

Sipas analistit, Xhelal Neziri, kemi një krizë ku faktori ndërkombëtar bën presion që të arrihet kompromis, të zgjidhet kriza dhe të shkohet në zgjedhje, ndërsa partitë politike taktizojnë për interesa të ngushta të tyre.
“Partitë t’i lënë anash taktizimet për interesa partiake dhe të fokusohen te interesi i qytetarëve, pasi që zbatimi i marrëveshjes finale është alternativë e vetme e cila do të nxjerrë vendin nga kriza politike, thotë Xhelal Neziri.
“Deklarata e Bejlit jep optimizëm se kriza mund të zgjidhet nëse jo deri në fund të kësaj jave, atëherë deri në fund të këtij muaji. Pra, është një angazhim më i madh dhe më i theksuar ndërkombëtar, i cili bën që të shpresojmë se kjo do të ndodhë. Të gjitha partitë në këtë proces nuk kanë mbajtur aq shumë llogari për atë që quhet interes publik, për atë që quhet interes i të gjithë qytetarëve të RM-së, por janë udhëhequr nga interesat e ngushta partiake, sidomos dy partitë e bllokut politik maqedonas, LSDM dhe VMRO-DPMNE. Mendoj se intervenimi më i madh ndërkombëtar në drejtim të zgjidhjes së krizës do të sjellë rezultate”,- deklaroi analisti politik, Xhelal Neziri.
Për analistin politik, Petar Arsovski, janë të mundshme paralajmërimet e ndërkombëtarëve se do të arrihet marrëveshje deri në fund të javës.
“Partitë politike pozitivisht u qasen bisedimeve. Edhe pse kemi taktizime politike gjatë gjithë kohës, mendoj se ndërmjetësimi i ndërkombëtarëve do të sjellë rezultatet pozitive dhe së shpejti duhet të kemi një marrëveshje finale e cila do të nxjerrë vendin nga kriza politike”,- theksoi analisti politik, Petar Arsovski.
Sipas analistëve politik, Xhelal Nezirit dhe Petar Arsovskit, partitë politik përveç arritjes së marrëveshjes finale duhet të jenë më këmbëngulës në përmbushjen e reformave dhe të krijohen kushte për funksionim të pavarur të Prokurorisë Speciale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
SANIJE DURAKU
