Maqedoni

Kuvend, debat mbi prop/ligjin për reklama në media

19.07.2016 18:27

Pushteti dhe përfaqësuesit e mediave kanë përplasur qëndrimet e tyre lidhur me propozim-ligjin për fushata informative...

Pushteti dhe përfaqësuesit e mediave kanë përplasur qëndrimet e tyre lidhur me propozim-ligjin për fushata informative dhe reklamuese të institucioneve publike.
 
Teksa pushteti ka arsyetuar propozim-tekstin, përfaqësuesit e mediave kanë shfaqur vërejtjet dhe qëndrimet e tyre të ndryshme për të cilat kanë paralajmëruar intervenim në propozim-tekstin e parashtruar.  
 
“Me këtë ropozim-ligj vendoset mekanizëm për shpallje të shkurta pa pagesë në servisin publik. Vendosen rregulla të ashpra për reklama qeveritare në kuadër të kriteriumeve transparente dhe objektive, si dhe transparencë e përgjithshme e reklamave qeveritare”,- tha ministrja e Shoqërisë Informative, Marta Arsovska-Tomovska.
 
“Jemi të bindur se ligji do ta legalizojë korrupsionin i cili ekziston në media. Qeveria me para publike do të jetë financuesja kryesore e mediave private me të vetmin qëllim, që të vendosë kontroll mbi punën e tyre. Qëllimi është që mediat të shndërrohen në tabelë për shpallje publike dhe të vritet çdo kritikë në media”,- theksoi Naser Selmani nga ShGM.
 
“Pesë televizionet nacionale, të cilat siç e dini kanë politika të ndryshme redaktuese, kanë interesa të ndryshme dhe redaktorë të ndryshëm janë ulur dhe janë marrë vesh dhe njëzëri kanë ngritur dorën dhe kanë thënë se ky ligj është i mirë me disa vërejtje të cilat kërkojmë të miratohen dhe se duhet të implementohen”- tha Ivan Mirçevski nga AMM.
 
“Vërejtja e fundit ka të bëjë me nenin 15. Në alinenë 2 të këtij neni, Qeveria parasheh që në ndarjen e mjeteve buxhetore për mediat e shtypura të jetë në raport 3 me 1 në favor të gazetave maqedonase. Ne propozojmë që të jetë 2 me 1, sepse tani e 20 vite praktikohet ky raport dhe përnjëherë na vjen ky raport”,- theksoi Lirim Dullovi nga Gazeta “Koha”.
 
Ndarja e buxhetit është vërejtja kryesore që nënvizoi deputeti i PDSh-së, Gazmend Aliu.
 
“Pse favorizohen vetëm pesë mediat në nivel qendror, Sitel, Telma, Alfa, Alsat-i si medium i vetëm shqiptar, dhe Kanal- 5. Sa media lokale kemi, ku janë ato, sa para marrin ata, shumë pak”- tha Gazmend Aliu nga PDSh.
 
Me propozim-ligjin pretendohet të rregullohet mënyra dhe kushtet për realizimin e aktiviteteve të informimit publik nga ana e institucioneve publike, për realizim dhe mënyrën e ndarjes së buxhetit për fushata, për të cilin realizim janë paraparë mbi 100.000 euro, si dhe mënyra e raportimit të Agjencisë për media për fushatat e realizuara në vitin paraprak.
 
NAIM RAMADANI