Maqedoni

Maqedonia lëshoi sërish euro–obligacionin prej 650 mln euro

19.07.2016 20:11

Maqedonia sërish ka hedhur në tregun ndërkombëtar euro-obligacionin prej 650 milionë euro...

Sipas Agjencisë “Rojters”, euro-obligacioni shtatëvjeçar është me normë interesi prej 5%. Në pritje të epilogut nëse investitorët do ta blejnë atë dhe me çfarë norme interesi, sërish aktualizohet ligjshmëria e lëshimit të euro–obligacionit.
 
Sipas LSDM-së, kjo paraqet shkelje ligjore dhe për këtë deri tek mediat botërore dhe investitorët përsëri dërguan letër ku denoncojnë parregullsitë.
 
Në letër përsëri kanë theksuar se borxhi do të kontestohet pas ndërrimit të pushtetit. Për këtë investitorët duhet të jenë të kujdesshëm, sepse përfaqësuesit qeveritar kanë shkelur ligjin.
 
Përveç letrës, LSDM në reagimin para opinionit vendor tha se përveç Nikolla Gruevskit, Vladimir Peshevskit dhe Kiril Minovskit, që e shkelin Ligjin për borxh publik, përgjegjësi do të kenë të gjithë personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë borxh. 
 
Ndryshe, kjo është përpjekja e dytë që lëshohet ky euro-obligacion pas mossuksesit të enjten, kur bankat përmes së cilave duhej të realizohet huamarrja e re, “Siti Grup”, “Dojçe Bank”, “Erste Grup” dhe “Societe Zheneral” anuluan emetimin deri në zbardhjen e dilemës juridike që e imponoi LSDM.
 
Nëse realizohet kjo huamarrje, Maqedonia në shtatë vitet e ardhshme do të paguajë nga 32.5 milionë euro normë interesi, pas çka në vitin 2023 duhet t’i kthejë të gjithë 650 milionë eurot.
 
Ose në përgjithësi, i gjithë borxhi do të kushtojë 888 milionë euro.