Akrapoviç dhe Cuculi optimistë, Shkëndija mundet në raundin e tretë
Me shpresë që të përsëritet loja dhe paraqitja e mirë prej para një jave në Baku....

Me shpresë që të përsëritet loja dhe paraqitja e mirë prej para një jave në Baku, por, kësaj rradhe duke u shfrytëzuar edhe rastet e krijuara, skuadra e Shkëndisë, e gatshme dhe e kompletuar e pret takimin kthyes të raundit të dytë eliminator në Ligën Europa, kundër Nefçit nga Azerbajxhani.
Ky ishte opinioni i trajnerit të “kuqezinjëve”, Bruno Akrapoviç si dhe zëvendës kapitenit të skuadrës, Ardian Cuculi, i dhënë në pres konferencën e sotme që u mbajt në Shkup.
Trajneri boshnjak, duke u mbështetur edhe në rezultatin 0-0 nga ndeshja e parë, është I mendimit se ekipi I tij kësaj rradhe do të fitoj dhe do të plasohet në raundin e tretë eliminator të garës më masive në futbollin europian.
“Duhet të them që në takimin e parë arritëm një rezultat që është I pranueshëm për ne dhe që na mundëson të luajmë sërish me lojën dhe taktikën tonë. Sigurisht që do të japim maksimumin, që të luajmë futbollin tani më të zakont për ne, me të cilin kemi arritur edhe shumë suksese. Këtu nuk do të ndryshojmë asgjë dhe do të orvatemi që sa më shpejtë të bëjmë rezultat të mirë. Njëashtu, nuk do ti lejojmë kundërshtarit shumë hapësira dhe të na rrezikoj nga kundërzbritjet. Mendoj që do të jetë një ndeshje e shkëlqyeshme dhe se do të përfaqësojmë në mënyrë dinjitoze edhe Shkëndinë, por edhe futbollin e Maqedonisë në Europë”, ishte i mendimit Akrapoviç.
Nga ana tjetër, qendërmbrojtësi I Shkëndisë, Ardian Cuculi, është I mendimit se skuadra e tij I ka zbuluar anët pozitive dhe negative të azerëve, me shpresë që edhe nesër do të shfaqin futboll kualitativ, tani të kurorëzuar edhe me fitore.
“Kjo ndeshje kthyese është diçka shumë më ndryshe se sfida e parë. Tani I kemi zbuluar anët positive dhe negative të kundërshtarit dhe dëshirojmë që të përsërisim lojën e mirë nga takimi I parë në Azerbajxhan. Nefçi është një ekip shumë I mirë, por ne shpresojmë se do të arrijmë rezultat pozitiv dhe ta kalojmë të njejtin, duke e përfaqësuar kështu skuadër tonë në mënyrën më të mirë të mundshme në Europë”, tha Cuculi.
Ndryshe, sfida kthyese e raundit të dytë eliminator në Ligën Europa, mes Shkëndisë dhe Nefçit, do të luhet nesër në Arenën “Filipi i Dytë” në Shkup në orën 20.00 dhe e njejta do të transmetohet ekskluzivisht në programin tonë. (Mustafa Ademi, TVM2)
