Botë
Erdogan dhe Obama biseduan për ekstradimin e mundshëm të Fethullah Gulenit
20.07.2016 17:03
Pas përpjekjeve të dështuara për grusht-shtet në Turqi, më shumë se 50 mijë njerëz janë arrestuar...

Pas përpjekjeve të dështuara për grusht-shtet në Turqi, më shumë se 50 mijë njerëz janë arrestuar, shkarkuar dhe pezulluar nga puna, të cilët konsiderohen si jobesnikë apo kundërshtarë të presidentit, Recep Tayyip Erdogan, duke përfshirë edhe mësues, dekanë të universiteteve dhe përfaqësues të mediave.
Qeveria thotë se ata janë aleatë të klerikut, Fethullah Gulen.
Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti turk, Erdogan, dhe presidenti amerikan, Obama, kanë biseduar për ekstradimin e mundshëm të Fetullah Gulenit, por vendimi nëse duhet apo jo të ekstradohet Gulen do të merret bazuar mbi një traktat të nënshkruar mes dy vendeve.
“ShBA nuk i përkrah terroristët dhe njerëzit që bëjnë komplot për të përmbysur qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike nga populli. ShBA-të janë të përkushtuar për sundimin e ligjit. Ne do të veprojmë në pajtim me procedurat e përcaktuara në marrëveshjen për ekstradim”,- deklaroi zëdhënësi i ShBA-ve, Josh Earnest.
Nga ana e tij, Gulen thotë se pretendimet, sipas të cilave ai qëndron pas përpjekjes për grusht-shtet, janë “qesharake”.
Ndryshe, presidenti Erdogan është duke kryesuar takimin e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe atë të kabinetit të tij në kryeqytetin turk, Ankara, pasi është rikthyer në qytet për herë të parë që prej grushtit të dështuar të shtetit.
Gjatë ditës, Organizata Uikiliks, e njohur për publikimin e dokumenteve të besueshme, njoftoi se ka publikuar rreth 300 mijë kumtesa elektronike të anëtarëve të Qeverisë turke.
Këtë lajm Uikiliks e publikoi përmes rrjetit social Twiter, ndërsa në kumtesë ka edhe link ndaj bazës me të dhëna në dokumentet, në të cilin mund të kërkohet sipas fjalëve kyçe.
