Francë, gjendje emergjence deri në janar 2017, Valls: do të ketë sulme të tjera

20.07.2016 14:59

Gjendja e emergjencës në Francë do të vijojë deri në janar të vitit 2017...

Kjo është e katërta shtyrje e propozuar nga Parlamenti francez, ndërkohë që pritet të miratohet edhe nga Senati.

Asambleja Kombëtare e Francës ka miratuar zgjatjen e gjendjes së emergjencës edhe për 6 muaj të tjerë, pas sulmit vdekjeprurës të javës së kaluar në Nice.

Kryeministri francez, Manuel Valls, tha se Franca duhet të jetë e përgatitur të presë të tjera sulme terroriste, pavarësisht masave parandaluese të ndërmarra nga qeveria e drejtuar prej tij.

Ai tha se Franca duhet të mësohet të jetojë me kërcënimet. Masat emergjente i japin policisë pushtet shtesë për të zhvilluar bastisje apo për të vendosur njerëz të dyshuar nën arrest shtëpie.

Komisioni hodhi në pah dhe nevojën e dërgimit të rreth 6.000 ushtarëve në mbrojtje të shkollave, sinagogave, qendrave tregtare, apo edhe vendeve të tjera me rrezik të lartë, të cilat mund të jenë nën shënjestrën e sulmeve terroriste.