Maqedoni-Shqipëri, bashkëpunim për ndjekjen e shkelësve të ligjit

20.07.2016 15:15

Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë nënshkroi protokollin e bashkëpunimit me palën maqedonase....

Ministria e Punëve të Brendshme e Shqipërisë nënshkroi protokollin e bashkëpunimit me palën maqedonase, e cila synon forcimin e bashkëpunimit policor e operacional ndërmjet strukturave të të dy vendeve.

Protokolli u nënshkrua nga zëvendësministri i Shqipërisë,  Stefan Çipa, nga homologu i tij nga Maqedonia, Agim Nuhiu.

Dokumenti  i njohur si  “Protokolli ndërmjet MPB-së së Shqipërisë dhe MPB-së së Maqedonisë për ndjekjen konstante ndërkufitare”, përcakton në detaje zonat, mënyrat, kushtet, rrethanat ku mund të kryhet ndjekja e personave që dyshohen si shkelës të ligjit.

Sipas Protokollit, tashmë është e mundur që njësitë policore të të dy palëve të kalojnë në anën tjetër të kufirit pa miratim paraprak, thjesht duke njoftuar palën mike për operacionin policor në momentin e kalimit të kufirit.

Protokolli nxit shkëmbimin e përvojave të dy vendeve dhe rrit efektshmërinë në luftën kundër drogave, trafiqeve ilegale, por edhe radikalizmit fetar e terrorizmit.

Ky Protokoll vjen menjëherë pas një protokolli tjetër të firmosur mes dy vendeve për bashkëpunim të ministrive përkatëse të të dyja vendeve në luftën kundër terrorizmit, krimit të organizuar, trafikut të paligjshëm të drogave narkotike, substancave psikotrope, migracionit dhe veprimtarive të tjera të paligjshme. (Gazmend Kurtishi, TVM2)