Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria në ngjitjen e majave malore në Francë dhe Itali

20.07.2016 15:34

Anëtarë të shoqatave bjeshkatare nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria morën pjesë...

Anëtarë të shoqatave bjeshkatare nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria morën pjesë në ngjitjen e dy majave të larta, në Itali Grand Paradiso dhe majën më të lartë në Europë, Mont Blanc në Francë.

Ata shprehen të kënaqur me përvojën e fituar gjatë këtyre ngjitjeve.

“Çdo ngjitje i ka vështirësitë e veta dhe çdo mal i ka karakteristikat e veta, mirëpo mali Mont Blanc ishte një sfidë e jashtëzakonshme dhe një mal që me të vërtetë duhet të jesh i përgatitur dhe të jesh në një kondicion të jashtëzakonshëm”,- deklaroi anëtari i ShBE “Shkupi”, Nebi Hoxha.

“Përvoja ka qenë shumë e bukur, e veçantë. Të gjithë ne që ishim pjesëtarë të ekipit të përbashkët u ngjitëm për herë të parë në këtë majë, si çdo majë ka emocion, por ky ishte emocion akoma më i veçantë, sepse dihet se Mont Bank është maja më e vështirë në Europë dhe në Botë”,- tha drejtuesi i Shoqatës “Albanian Sport-Turizëm”-Elbasan, Artur Guni.

“Të gjithë flamujt ishin aty, vetëm i joni mungonte. Aty e ngjitëm flamurin tonë shqiptar”,- theksoi anëtari i Shoqatës ShBE “Shkupi”, Qamuran Hirda.

“Me një qëllim dhe vendosmëri të madhe ia arritëm qëllimit. Pushtuam një sfidë të madhe, jemi krenarë që ishim kuq e zi dhe e pushtuam atë majë”,- u shpreh anëtari i ShBE “Shkupi”, Muhamed Halili.

Nga Shoqata ShBE “Shkupi” ftojnë të rinjtë që të angazhohen në këtë shoqatë. Ky sport ndikon pozitivisht në aspektin shëndetësor dhe psikologjik. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)