Projekte ekologjike për ambient të pastër
Ka përfunduar projekti Tuining për zbatimin e legjislacionit të mjedisit jetësor....

Ka përfunduar projekti Tuining për zbatimin e legjislacionit të mjedisit jetësor në nivel shtetëror dhe lokal, projekt i cili ka pasur edhe mbështetje financiare nga fondet IPA.
“Kjo nënkupton jo vetëm përmirësim të harmonizimit të ligjeve, të cilat kanë të bëjnë me punën e sistemit të inspektimit, por edhe shfrytëzim më të mirë të resurseve dhe përmirësim të kompetencave të inspektimit”,- deklaroi ministri i Ekologjisë, Bashkim Ahmeti.
“Me këtë projekt, në bashkëpunim me inspektoratet shtetërore të mjedisit jetësor, është bërë shumë punë. Por, nuk do të thotë se duhet të ndalemi, duhet të vazhdojmë edhe më tej, si në nivel shtetëror edhe atë lokal”,- tha Martin Klauke nga delegacioni i BE-së.
Realizimi i projektit është bërë me ndihmën e shteteve partnere, Spanjës dhe Holandës, në periudhën janar 2015-gusht 2016.
Projekti përbëhej nga tre komponentë: përforcimi i kapaciteteve të inspektimit të mjedisit jetësor në nivel qendror dhe lokal, pastaj ndihma teknike për komunat në përmbushjen e detyrimeve për implementimin e legjislacionit, sigurimin e pajisjes dhe softuerit për përmirësimin e kushteve të punës. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
