Protesta në Tetovë, qytetarët kërkojnë largimin e deponisë së egër
Banorë të lagjes Dardania bashkë me disa bashkëqytetarë protestuan përpara Komunës së Tetovës...

Banorë të lagjes Dardania bashkë me disa bashkëqytetarë protestuan përpara Komunës së Tetovës kundër deponisë së mbeturinave, për të kërkuar zgjidhje për këtë problem.
Banorët e revoltuar i zbrazën disa qese me mbeturina përpara objektit të komunës, si shenjë revolte ndaj, siç thonë ata, premtimeve boshe lidhur me largimin e deponisë nga lagjja e tyre.
“Kjo komunë nuk do t’i dëgjojnë kërkesat tona, prandaj sot jemi mbledhur që njëzëri ta shprehim revoltën tonë ndaj kësaj gjendjeje katastrofale ekologjike që po na mbyt çdo ditë”,- tha një banor.
“Unë kam ardhur në pushime para tre muajsh, më është dashur të marr me qira shtëpi, se prej erës nuk rrihet aty. Nuk mund Tetova të prezantohet me këtë kartëvizitë si është tash, kemi turp në mëhallë të na vijë ndonjë mysafir nga jashtë”,- u shpreh një banore.
“Jetojmë në një kohë kur kërkojmë ajër të pastër dhe mjedis të shëndetshëm, diçka që vlerësuam se duhet ta kemi dhe kërkojmë komuna të na mundësojë ne si qytetarë”,- u shpreh një banor.
Me të mbaruar protesta, organizatorët kanë realizuar takim edhe me përfaqësuesit e Komunës së Tetovës, nga ku kanë marrë garanci që për këtë çështje është duke u punuar dhe se problemi me deponinë do të zgjidhet shumë shpejt.
“Ne punojmë gati një muaj në zgjidhjen e këtij problemi. Jemi në bisedë e sipër me pesë salla për vendosjen e trakeve dhe mendoj se për një afat shumë të shkurtër ky problem do zgjidhet dhe ato mbeturina nuk do jenë aty. Njëkohësisht punojmë në mënyrë afatgjate për zgjidhjen e këtij problemi që e kemi prej 20 vitesh”,- theksoi drejtori i NPK “Tetova”-Tetovë, Xhelal Ceka.
Protestuesit kanë paralajmëruar se nuk do të ndalojnë deri në largimin e tërësishëm të deponisë, e cila përveç që kundërmon, është e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. (Visar Sadiki, TVM2)
