Maqedoni

Kompetencat e ministrit të Brendshëm, Çavkov: spekulim, nuk zvogëlohen kompetencat

20.07.2016 18:00

Çështja e kompetencave të ministrit të Punëve të Brendshme vazhdon të mbetet temë e bisedimeve të grupeve të punës...

Përfaqësuesit e partive politike janë mbledhur në orët e pasdites, pasi në mesditë për arsye të panjohura nuk u takuan në klubin e deputetëve.
 
Optimizmi për arritjen e marrëveshjes nga VMRO–DPMNE vazhdon. Sipas Nikolla Todorovit, nëse ka vullnet politik edhe kjo çështje mund të mbyllet.
 
“Nëse ka vullnet për marrëveshje, atëherë pres të ketë marrëveshje. Ka pasur lëshime edhe nga njëra dhe pala tjetër. Normal që ne themi se VMRO–DPMNE ka lëshuar më shumë pe, LSDM do të thonë se ata kanë lëshuar më shumë pe, por megjithatë e atillë është situata që do të duhet të merret guxim dhe të gjejmë zgjidhjen e përbashkët. Ne bëmë mjaft përjashtime në këtë drejtim dhe presim një përjashtim në finale të bisedimeve edhe nga ana e LSDM-së”,- deklaroi Nikolla Todorov nga VMRO–DPMNE.
 
Nga LSDM disa herë kanë përsëritur qëndrimin se ministri për Punë të Brendshme të ketë kompetenca të plota në emërimin dhe shkarkimin e figurave drejtuese brenda Ministrisë.
 
Pretendimet e tilla të partisë së Zaevit janë përgënjeshtruar nga ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
 
Sipas tij, nuk ka zvogëlim të kompetencave, por ndryshimet në ligj krijojnë siguri për të punësuarit pa marrë parasysh se ministër i cilës parti udhëheq me MPB-në.
 
“Asnjë kompetencë e ministrit të Punëve të Brendshme nuk vihet në pikëpyetje me ndryshimet e Ligjit për Punë të Brendshme dhe Ligjit për Polici. Ligji për organizim të Qeverisë thotë se ministri i Punëve të Brendshme ka të drejtë të bëjë emërime bazuar në Ligjin për Punë të Brendshme në të cilin saktë është vendosur hierarkia, nëntë kategori të vendeve të punës me qëllim që të mos ketë keqpërdorime dhe të krijohet siguri ligjore për të gjithë të punësuarit”,- deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Mitko Çavkov.
 
Temë tjetër që është hapur në tryezën e bisedimeve është mandati i ministrit të Brendshëm, që, sipas VMRO- DPMNE-së, ai do të duhet të tërhiqet një ditë pas zgjedhjeve në rast se LSDM humb zgjedhjet.
 
MERAL ISMAILI