22 trupa të pajetë gjenden në Detin Mesdhe
Tragjeditë e jetëve të humbura në Mesdhe nuk kanë fund. Trupat e pajetë të 22 njerëzve janë gjetur në një anije në Detin Mesdhe...

Tragjeditë e jetëve të humbura në Mesdhe nuk kanë fund. Trupat e pajetë të 22 njerëzve janë gjetur në një anije në Detin Mesdhe të nisur nga brigjet Libiane drejt Europës.
21 gra dhe një burrë janë gjetur në një pellg karburanti dhe uji në fundin e anijes.
“Klandestinët kishin qëndruar aty për orë të tëra”,- thotë organizata bamirëse “Mjekët pa kufij”.
“Mbi 200 persona të tjerë që kanë qenë në anije janë shpëtuar nga ekipet e shpëtimit. Në mesin e tyre kanë qenë 50 fëmijë. Shifrat e fundit çojnë në mbi 80 000 numrin e migrantëve që kanë arritur në Itali këtë vit”,- ka thënë Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara.
Sipas saj, duket se avujt e dalë nga bashkimi i ujit me karburantin i kanë marrë jetën emigrantëve fatkeq.
Shumica e personave në bord vinin nga vende të Afrikës perëndimore. Të mbijetuarit e kësaj fatkeqësie janë në mesin e 2.000 emigrantëve të shpëtuar nga uji gjatë disa operacioneve të ndryshme të mërkurën, ku u përfshinë roje bregdetare italiane e spanjolle, si dhe disa organizata humanitare. Klandestinët janë dërguar më pas në Sicili.
Nga Organizata ndërkombëtare japin alarmin se me mijëra vetë kanë humbur jetën ose janë zhdukur në ujërat e Mesdheut këtë vit.
GAZMEND KURTISHI
