Maqedoni

Halimi u prezantua në Çellopek

04.04.2014 18:13

Partia Demokratike Shqiptare, fushatën parazgjedhore të promovimit të kandidatit presidencial e koncentroi në fshatin Cellopek të Tetovës....

Partia Demokratike Shqiptare, fushatën parazgjedhore të promovimit të kandidatit presidencial e koncentroi në fshatin Cellopek të Tetovës.
 
Para banorëve të Cellopekut, kandidati për  president, Iljaz Halimi, tha se tani është koha që vota shqiptare të mobilizohet si asnjëherë më parë, pavarësisht përkatësisë partiake të qytetarëve, pasi shqiptarët tani kandidojnë me një kandidat të vetëm shqiptar, ndërsa etniteti maqedonas garon me tre kandidat të tjerë dhe tani është koha që shqiptarët ta dëshmojnë potencizmin e tyre në mobilizim dhe mbështetje të kandidatin të vetëm shqiptar.
 
Nëse unë bëhem president, mirëqenie do të ketë për të gjithë, buxheti do të ndahet proporcinalisht, të gjithë qytetarët do të kenë mundësi të jetojnë më mirë dhe më sigurt, u shpreh kandidati për president nga radhët e PDSH-së, Iljaz Halimi.
 
“Për herë të parë ndodh në historinë tonë, që shqiptarët kanë vetëm një kandidat për president, ose tani është koha për t’i bashkuar votat ose kurrë, tani duhet me votë ta tregojmë potencialin tonë kombëtar dhe t’i tregojmë botës se kemi potencial për të qenë komb shtetformues. Kandidatura ime për kryetar shteti, mundëson që shqiptarët të faktorizohen dhe të afirmohen edhe më shumë si brenda edhe jashtë vendit, vëllezër dhe motra, pozita jonë në këtë shtet është rënduar dhe vështirë jetohet  dhe këtë më së miri e dini ju, ku do që shkojmë qytetarët ankohen për mungesë të kushteve elementare për jetë, me dhjetëra mijë të rinj janë pa punë dhe pa kurrfarë perspektive, arsimi është degraduar tejmase, shqiptarët nuk mund ta kryejnë një punë sado të thjeshtë të jetë pa mos dhënë ryshfet, më me rëndësi është se shqiptarët nuk kanë siguri në rrugë dhe në shtëpitë e tyre. Kjo nuk ndodh rastësisht, dikush na e ka sjellë këtë gjendje, ata shqiptarë që e morën legjitimitetin për ta përfaqësuar dhe mbrojtur interesin tonë, dështuan, të nderuar qytetarë, kjo gjendje nuk ndryshon vetvetiu, këtë mund ta bëni ju me votën tuaj për mua dhe për partinë demokratike shqiptare. Nëse ma jepni besimin unë nuk do të ju zhgënjej, do të jem përfaqësues i juaj dhe i gjithë qytetarëve tjerë, unë do të jem zëri i fuqishëm i juaji në presidencë, prej ku edhe do të fillojë ndryshimi. Asnjë  ligj dhe vendim që do ta sjellin organet, institucionet tjera dhe organet tjera shtetërore, e qe nuk është në  interesin tuaj, nuk do të kalon, buxheti do të ndahet proporcionalisht”, deklaroi kandidati për president nga PDSH, Iljaz Halimi.
 
Nga PDSH  thonë se qëllimi i saj si subjekt politik nuk është t’i dëmton anëtarët e BDI-së, t’i përjashton nga puna simpatizantët e BDI-së, por qëllimi i PDSH-së është që të lartëson pozitën e shqiptarëve, tu siguron mirëqenie pavarësisht ngjyrave partiake. PDSH del me  kandidat presidencial në mënyrë që mos të lejohet hapësirë që në ditën e zgjedhjeve presidenciale, në mungesë të kandidatëve shqiptarë, qytetarët shqiptarë të votojnë për ndonjë kandidat maqedonas, PDSH dëshiron që ta parandalon realizimin e këtij akti.
 
Koha e romantizmit dhe folklorizmit të BDI-së ka kaluar, shqiptarët jetojnë në kohën reale, ku kemi mbijetuar dhe jemi në një rrugë shumë të mirë drejt NATO-s dhe BE-së dhe duhet të fillojmë me vepra reale, të punojmë për mirëqenien tonë, thonë në PDSH.
 
Ndërkohë ne kuadër të aktiviteteve parazgjedhore, kryetari i PDSH-së, Menduh  Thaçi, në  Selinë  Qendrore të  partisë, realizoi takim me ambasadoren e Gjermanisë në vend, Gudrun Steinaker. Në takim është biseduar mbi  situatën aktuale politike, zgjedhjet e shpallura, si dhe debllokimin e procesit integrues dhe tema të tjera me karakter politik. Shtajnaker  potencoi  qëndrimin  e  Gjermanisë  dhe  të të gjithë  Unionit  Evropian  për  të ndjekur, mbikëqyrur dhe përkrahur të gjitha proceset politike në vend, në veçanti këtë cikël të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Maqedoni. Në anën tjetër, Thaçi i ka siguruar Steinaker se PDSH do të jetë pjesë e procesit demokratik dhe pjesë e një procesi të drejtë zgjedhor.
 
Sa i përket çështjes së debllokimit të procesit integrues  dhe zgjedhjes së çështjes së emrit, Steinaker ka theksuar  që Gjermania është e interesuar që Maqedonia të ecë përpara. Me rastin e zgjidhjes së emrit dhe caktimit të datës për anëtarësim, Maqedonia do të kishte përkrahjen financiare të Unionit Evropian, me qëllim të ngritjes së standardit jetësor dhe zhvillimit të vendit. Në këtë kontekst, ambasadorja theksoi kontributin të cilin shqiptarët do mund ta jepnin në debllokimin e procesit integrues, me theks të veçantë në zgjedhjen e çështjes së emrit. 
 
Thaçi, njeherit në këtë takim ka  theksoi se dështimet e një pas njëshme janë treguesi më i mirë i mungesës së qasjes serioze të atyre që drejtojnë resorët e integrimeve evropiane. Bashkëbiseduesit  janë pajtuan  që  duhet  të  jepet  kontribut  maksimal  në  këtë  drejtim  dhe shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar në të gjitha aspektet në të ardhmen, në favor të mbarëvajtjes së të gjitha proceseve politike në vend. (Zejxhane Osmani, TVM2)