Maqedoni
Arritja e Marrëveshjes politike mbështetet nga zyrtarët e lartë ndërkombëtarë
21.07.2016 16:00
Arritjen e marrëveshjes politike e kanë mbështetur edhe zyrtarët e lartë ndërkombëtarë...

Komisionari për negociata për zgjerim i Bashkimit Europian, Johanes Hahn, në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Twitter ka përshëndetur marrëveshjen midis katër partive kryesore politike në Republikën e Maqedonisë me qëllim që t’i jepet fund krizës politike në vend.
“Lajme të mira nga IRJM: partitë politike arritën marrëveshje për çështjet e hapura në bisedimet për Marrëveshjen e Përzhinës. Hap i rëndësishëm drejt përfundimit të krizës politike. Tani duhet të ruhet momenti: zbatimi i plotë i reformave kyçe për progres të qëndrueshëm”,- ka shkruar Johanes Han në Twitter.
Llogarinë e tij në Twitter për të uruar marrëveshjen e arritur e ka shfrytëzuar edhe ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, duke vlerësuar Marrëveshjes e Përzhinës si jetike për demokracinë.
"Urime për Maqedoninë, për Marrëveshjen e 20 korrikut, mundësi për demokracinë”,- ka shkruar Baily në Twitter.
Edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Maqedoni e ka përshëndetur arritjen e marrëveshjes të partive politike dhe ka porositur se ata duhet me po aq punë edhe ta zbatojnë atë.
“Parimisht, qëndrimi im është se çdo marrëveshje është e mirë po aq sa ajo do të zbatohet. Kjo është ajo që ka munguar në të kaluarën. Që të jetë më e suksesshme kjo marrëveshje, partitë duhet të investojnë po aq punë për ta zbatuar atë ashtu siç kanë investuar gjatë kohës së bisedimeve”,- ka thënë Poll Edwards, ushtruesi i detyrave në Ambasadën e Britanisë së Madhe në Maqedoni.
Ambasada e Sllovakisë në Maqedoni gjithashtu i dha mbështetje marrëveshjes së arritur për dalje nga kriza.
“Udhëheqësia e Sllovakisë në Këshillin e BE-së e ka përshëndetur konsensusin ndërpartiak që u arrit më 20 korrik në Shkup. Plotësisht, menjëherë dhe me vullnet të mirë të implementohet marrëveshja është kruciale për kthimin e situatës në normalitet për organizimin e zgjedhjeve të besueshme parlamentare dhe për kthimin e vendin në rrugën euroatlantike”,- thanë nga Ambasada e Sllovakisë.
Këto komente vijnë pas arritjes së djeshme të Marrëveshjes politike për dalje nga kriza. Partitë janë dakorduar që vendi të udhëhiqet nga një qeveri teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve.
ERSAN PAJAZITI
