Maqedoni
Partitë jashtëparlamentare kritikojnë disa nga pikat e Marrëveshjes
21.07.2016 17:46
Partitë politike jashtëparlamentare kanë kritikuar disa nga pikat e Marrëveshjes politike, para së gjithash ndryshimet...

Partitë politike jashtëparlamentare kanë kritikuar disa nga pikat e Marrëveshjes politike, para së gjithash ndryshimet që pritet të miratohen në Kodin zgjedhor e që sipas tyre do të lënë jashtë listës zgjedhore rreth 200 mijë votues nga diaspora.
LR PDSh vlerëson se me këto zgjidhje është shkelur Kushtetuta, e cila çdo shtetasi të saj i garanton të drejtën e votës.
“Pa pikë turpi fshihen rreth 200 mijë qytetarë të Republikës së Maqedonisë, kryesisht shqiptarë nga diaspora, dhe unë bëj apel që të respektohet kushtetuta në këtë drejtim dhe parashtroj pyetjen: cili do të jetë hapi i radhës me diasporën shqiptare? Do t’u merret nënshtetësia, do t’u konfiskohet prona dhe do të kenë fatin e shqiptarëve në Çamëri? Për këtë do të duhet të përgjigjen këta liderë politik, të cilët i thonë vetes se udhëheqin subjekte politike shqiptare”,- deklaroi Zijadin Sela nga LR-PDSh.
Lëvizja BESA vlerëson se Marrëveshja e arritur është një mundësi për zgjidhjen e krizës, por gjithashtu shpreh dyshimin për zbatimin e saj, por edhe për çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët.
“Fshirja e mërgimtarëve shqiptarë nga lista dhe fakti që nuk u shtrua asnjë detyrim për interesat shqiptare në Maqedoni, janë mashtrimi dhe tradhtia e radhës që dy partitë shqiptare, të kapura nga VMRO-ja, ua ofrojnë shqiptarëve të Maqedonisë. Si kurorëzim i kësaj është ofendimi i radhës, që shqiptari të bëhet ministër i Punëve të Brendshme kur nuk ka asnjë kompetencë”,- thuhet nga Lëvizja BESA.
Rilindja Demokratike Kombëtare përshëndet përfundimin e lojës, respektimin e plotë të Marrëveshjes së Përzhinës dhe rekomandimet e Raportit të PRIBE-së, dhe shpreson se këta aktorë politik nuk do të rinisin ndonjë lojë tjetër.
“Vendi dhe rajoni në përgjithësi kanë nevojë për zgjidhje të përhershme dhe jo marrëveshje për hir të marrëveshjeve, dhe për këtë arsye komuniteti ndërkombëtarë duhet të tregojë zero tolerancë për të gjithë këta aktorë që luajnë me fatin e një populli, por pse jo edhe me fatin e njerëzimit në përgjithësi. Koha e lojërave patjetër të përfundojë! Kemi shumëçka për të humbur nëse tolerohen edhe më shumë”,- thuhet nga Rilindja Demokratike Kombëtare.
Partia për Prosperitet Demokratik konstaton se bisedimet e deritashme midis katër partive politike për dalje nga kriza aktuale politike më tepër i kanë ngjarë një teatri politik se sa një përpjekjeje serioze për të dakorduar një platformë të shëndoshë për shërimin e shoqërisë nga kanceri i kriminalitetit ekonomik e politik.
“Manovrat e deritashme politike nuk kanë pasur për qëllim luftimin e krimit ekonomik e politik dhe krijimin e kushteve konkrete për punë papengesë të Prokurores Speciale, por krijimin e favoreve partiake para zgjedhjeve të parakohshme. PPD me keqardhje konstaton se ajo që quhet pastrim i listave zgjedhore mbaroi me fshirjen nga listat zgjedhore të shumicës së mërgimtarëve shqiptarë”,- theksuan nga Partia për Prosperitet Demokratik.
Partia Liberal-demokrate reagon ndaj mosdefinimit të qartë të punës së papenguar të Prokurorisë Speciale dhe sundimit të ligjit në vend.
“Vlerësojmë se thelbi i Marrëveshjes duhet të jetë sundimi i ligjit, procedimi i të gjitha lëndëve të Prokurorisë Speciale që janë hapur muajve të kaluar, epilogu gjyqësor, përkatësisht përgjegjësia e të gjithë politikanëve që kanë shkelur ligjet dhe kanë punuara në dëm të qytetarëve të Maqedonisë”,- u shprehën nga Partia Liberal-demokrate.
Partia për Ripërtëritje e Liljana Popovskës shpreh kënaqësinë nga, siç thuhet, përfundimi i “agonisë së negociatave”.
Kjo parti kërkon që në negociata lidhur me zbatimin e saj të përfshihen edhe partitë tjera dhe sektori civil, për të pamundësuar pushtetin në imponimin e problemeve tjera në tryezën e bisedimeve, ashtu siç ka vepruar deri më tani.
GAZMEND REXHEPI
