Maqedoni
Zbatimi i Marrëveshjes politike, Ramadani: pengesa në dekriminalizimin e shtetit; Arsovski: i pamundur, mungon vullnet
21.07.2016 17:50
Kompromisi midis partive politike vështirë të zbatohet, vlerësojnë analistët politik të vendit...

Sipas Ismet Ramadanit, pengesa në zbatim do të paraqiten gjatë dekriminalizimit të shtetit nga Prokuroria Speciale. Ndërkaq, analisti, Petar Arsovski, thotë se marrëveshja nuk do të zbatohet në mungesë të vullnetit politik.
“Problemi kryesor është dekriminalizimi i strukturave të larta të pushtetit dhe vështirë do të shkojë pa marrë parasysh se kemi Prokurori Speciale, mirëpo segmentet e shtetit janë të kapura nga partitë politike, sidomos nga VMRO–DPMNE dhe derisa të çlirohen ato do të ketë probleme, do të ketë obstruksione dhe do të varet edhe implementimi i marrëveshjes më të re që u arrit midis partive.”- deklaroi analisti, Ismet Ramadani.
“Nëse gjykojmë sipas praktikës së deritanishme, partitë nuk kanë vullnet serioz politik të zbatojnë atë për të cilën janë marrë vesh, andaj unë jam më shumë pesimist se sa optimist, se për këtë që janë marrë vesh tani do të zbatohet edhe pse aty qëndrojnë vetëm kërkesa teknike”,- u shpreh analisti, Petar Arsovski.
Më 31 gusht, liderët do të takohen për të caktuar datën e zgjedhjeve. Data më e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve thuhet të jetë 11 dhjetori. Analisti, Ismet Ramadani, thotë se kjo datë është e mundur, ndërkaq Petar Arsovski pohon të kundërtën.
“11 dhjetori mund të jetë datë ku mund të shkohet në zgjedhje, sepse mjafton ajo kohë që qeveria teknike t’i përgatitë zgjedhjet bashkë me Komisionin Shtetëror Zgjedhor”,- theksoi analisti, Ismet Ramadani.
“Unë mbetem pesimist. 11 dhjetori është datë më pak e mundur, zgjedhjet mund të shtyhen, pasi që fushatë në minus 20 gradë vështirë realizohet”,- tha analisti, Petar Arsovski.
Edhe dakordimi për 40 mijë votuesit e kontestueshëm, që ata t’i përgjigjen thirrjes publike brenda 25 ditëve, sipas analizave rrezikon shlyerjen nga lista zgjedhore në pamundësi që ata të paraqiten, pasi shumica veprojnë në diasporë.
Ndërkaq, analistët e cilësojnë si kompromis teknik dakordimin që mandati i Qeverisë së “Përzhinës” të skadojë me publikimin e rezultateve të zgjedhjeve, ndërkaq punën e tyre ta kryejnë zëvendësministrat.
MERAL ISMAILI
