Maqedoni

Marrëveshja, partitë nënshkruese-optimiste

21.07.2016 17:31

Marrëveshjen e arritur mbrëmë midis forcave kryesore politike në vend BDI dhe VMRO-DPMNE e kanë cilësuar si një mundësi dhe sinjal të mirë për qytetarët...

Palët duhet të japin kontributin e tyre në drejtim të realizimit të kësaj marrëveshje për të dalë nga kriza politike, thonë ata.
 
“Jam optimist se palët do të japin kontributin e tyre konstruktiv në drejtim të realizimit të kësaj marrëveshje të arritur dje, që do të mundësojë pastaj edhe  vlerësimin nga ana e liderëve të katër partive më të mëdha parlamentare në vend, që kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, të besueshme dhe fer në vendin tonë janë përmbushur dhe rrjedhimisht ata të katër ta përcaktojnë edhe datën e zgjedhjeve”,- tha Artan Grubi nga BDI.
 
“Sinjalin e mirë për arritje të marrëveshjes dhe parashikimin rreth zgjedhjeve do të duhet ta vërtetojmë gjatë periudhës në vijim, sepse të gjithë ata që morën obligim do të duhet ta zbatojnë atë që e kanë premtuar dhe të përfundojmë që t’i shkaktojmë dëm shtetit nëpërmjet pasigurisë në periudhë të gjatë”,- theksoi Nikolla Popovski nga VMRO-DPMNE.
 
Edhe LSDM dhe PDSh janë shprehur optimiste menjëherë pas arritjes së marrëveshjes.
 
“Garanci të forta të faktorit ndërkombëtar për organizim të zgjedhjeve fer, demokratike dhe të lira ishte qëllimi kryesor që PDSh ta arrijë dhe kjo u arrit”,- deklaroi Imer Aliu nga PDSh.
 
“Marrëveshja e këtillë krijon kushte që Maqedonia t’i japë fund kësaj krize, që na mori shumë kohë. Maqedonia do të ketë zgjedhje të lira, ku qytetarët do të thonë fjalën e tyre dhe do t’i jepet fund krizës dhe qeverisjes kriminale të Gruevskit”, - u shpreh Radmilla Sheqerinska nga LSDM.
 
Ndërkohë, Lidhja Demokratike e Pavle Trajanovit njoftoi se marrëveshja e arritur mes katër partive politike nuk garanton krijim të kushteve për zgjedhjeve korrekte dhe demokratike. 
 
Nga ana tjetër, Partia për Ripërtëritje e Liljana Popovskës shpreh kënaqësinë nga, siç thuhet, përfundimi i “agonisë së negociatave”. Kjo parti kërkon që në negociata lidhur me zbatimin e saj të përfshihen edhe partitë tjera dhe sektori civil.
 
NAIM RAMADANI