Maqedoni

Shqip-për herë të parë në RTVM, Ibrahimi: servis të veçantë publik për shqiptarët

21.07.2016 18:05

Programi në gjuhën shqipe në Televizionin publik ka filluar më 17 prill të vitit 1968...

Karakteristikë e veçantë është se lajmet e para në gjuhën shqipe të transmetuara në Televizionin e Shkupit janë lajmet e para në gjuhën shqipe në mbarë trojet shqiptare.
 
Fillimisht, në televizion ka pasur vetëm disa minuta lajme dhe atë një herë në javë, që më pas të ketë edhe tre herë në javë. Më pas, përpos lajmeve, është emetuar edhe program arsimor, kulturor, reportazhe etj. Themelues të redaksisë në gjuhën shqipe kanë qenë: Lutfi Rusi, Skender Kuli, Murat Isaku, Suzana Kaba dhe Alush Kamberi.
 
Me rënien e Sistemit komunist, shtimi i minutazhit të programit në gjuhën shqipe në Televizionin publik dukshëm është rritur. U shtuan orët e programit, u punësuan kuadro të reja shqiptare, kjo rritje sot rezulton me 16 orë program në gjuhën shqipe në televizion, me afro 90 të punësuar shqiptarë.
 
Për herë të parë në Televizionin publik janë punësuar shqiptarë edhe në dikastere ku numri i tyre ka qenë simbolikë apo fare nuk ka pasur të punësuar shqiptarë, operatorë, dizajnerë, regjisorë, producentë, kameramanë dhe dizajnerë të grafikës.
 
Freskia në përbërjen kadrovike të shqiptarëve në televizion është reflektuar edhe në cilësinë e programit. Janë bërë reforma të mëdha, investime që kanë përmirësuar dukshëm infrastrukturën e funksionimit të televizionit.
 
Është bërë digjitalizimi i pari në rajon, janë hapur studio të veçanta për lajme, studio virtuale dhe studio për emisione të veçanta. Edhe në sistematizimin për funksionim të Radio Televizionit të Maqedonisë, Servisi i dytë programor ka arritur të jetë në status të njëjtë me atë në gjuhën maqedonase.
 
Një e arritur e jashtëzakonshme ka të bëjë edhe me fillimin me punë program satelitor në të cilin transmetohet 24 orë program në gjuhën shqipe, që emetohet në katër kontinente.
 
Për zëvendësdrejtorin e RTVM-së, Harun Ibrahimin, marrëveshja e arritur mes katër partive politike në sferën e medieve, ku parashihen ndryshime ligjore, që do të mundësonte emetimin e programit 24 në gjuhën shqipe në televizion, është një hap që duhet mbështetur dhe përkrahur maksimalisht. Por, sipas tij, këtu nuk duhet përfunduar gjithçka.
 
“Me arritjen e Marrëveshjes që të ketë 24 orë program në gjuhën shqipe në televizion dhe radio, un vlerësoj se janë përmbushur aspiratat e të gjitha gjeneratave të cilat kanë vënë gurthemelin e këtyre dy institucioneve. Por, mendoj se e ardhmja do të duhet të jetë diku tjetër. Tashmë shqiptarët duhet që të mos jenë të kënaqur vetëm me këtë të arritur, por të angazhohen, sidomos gjeneratat e ardhshme, që në Maqedoni të kemi servis publik në gjuhën shqipe. Nëse shqiptarët në Maqedoni tashmë kanë institucione të pavarura arsimore, siç është Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, siç janë institucionet kulturore, teatri në Shkup, Teatri në Tetovë dhe Kumanovë, apo siç është Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni, pse të mos mendohet edhe për servis publik në gjuhën shqipe. Por, hë për hë duhet përshëndetur kjo iniciativë”,- deklaroi zëvendësdrejtori i RTVM-së, Harun Ibrahimi.
 
Gjatë 40 ditëve të ardhshme, përfaqësuesit e partive politike, pjesëmarrëse në Marrëveshjen e Përzhinës, duhet të definojnë edhe draft-propozimin për ndryshimin në ligj, që do të mundësonte jetësimin e emetimit 24 orë të programit në gjuhën shqipe në servisin publik.   
 
MERITA GASHI