Botë

Turqi, Erdogan shpall gjendje të jashtëzakonshme

21.07.2016 18:16

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj pas tentimin për puç...

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj pas tentimin për puç, ku humben jetën 312 persona.
 
“Unë, si komandant suprem, do të  angazhohem që të pastrohen  të gjitha viruset në kuadër të forcave ushtarake”,- u shpreh Erdogan gjatë fjalimit të tij në pallatin presidencial në Ankara.
 
“Ne, si anëtarë të Këshillit të Sigurisë, kemi vendosur t’i rekomandojmë qeverisë që të shpallet gjendje e jashtëzakonshme,  në bazë të nenit 120 të Kushtetutës turke. Për t’i hequr të gjitha elementet e organizatës terroriste, të përfshirë në përpjekjet për grusht-shteti, kabineti ka vendosur të shpallë tre muaj gjendje të jashtëzakonshme. Kjo  nuk është kundër ligjit, demokracisë, lirive themelore, por është për përmirësimin dhe forcimin e këtyre vlerave. Ne kurrë nuk kemi bërë kompromise për demokracinë”,- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Kushtetuta e Turqisë në gjendje të jashtëzakonshme lejon kufizim të të drejtave themelore dhe Erdogani mund të veprojë me dekrete.
 
Si pjesë e veprimeve, të cilat mund t’i marrë Erdogan, janë orë policore, ndalim të protestave në hapësirë të hapur dhe të mbyllur, kontroll mbi mediat, konfiskim të provave të mundshme, bastisje, si dhe ndalim të komunikacionit në zona të ndryshme.
 
Gjendja e jashtëzakonshme hyn në fuqi pas publikimit në gazetën zyrtare të Turqisë. Fati i shumë të arrestuarve ende nuk dihet, Turqia mendon ta rikthejë dënimin me vdekje.
 
GAZMEND KURTISHI