Botë

Tiranë, reformat në drejtësi, sërish probleme sot

21.07.2016 19:02

Edhe pse ishte parashikuar që në orën 10 të ditës së sotme 140 deputetët e Kuvendit të Shqipërisë të votonin reformën në drejtësi, kjo nuk ka ndodhur...

Palët sërish e kanë prishur marrëveshjen në orën 2 pas mesnatës, duke pretenduar se kryetari demokrat, Lulzim Basha, ka bërë dy kërkesa të reja.
 
Por, Basha e sqaroi në këtë mënyrë sot akuzën ndaj tij: “Ne kemi marrëveshje, i përmbahemi, jemi gati ta votojmë. Rama duhet të zbatojë këtë marrëveshje e të votojmë reformën. PD do jetë në parlament për këtë marrëveshje. Bëj thirrje që Rama t’i lërë lojërat e ta votojë. Marrëveshja nuk i shërben partive, por Shqipërisë. Kemi një marrëveshje, por mbrëmë kjo marrëveshje është vënë në dyshim. Ka pasur një mirëkuptim, marrëveshje prej kohësh se për të 4 institucionet subjekti i nenit 88 do aplikohet e njëjta formulë. Të hënën, kjo marrëveshje është konfirmuar nga PS, këtë e thotë Bylykbashi, Ylli Manjani. Të hënën, PS ka konfirmuar se marrëveshja qëndron për katër institucionet, 3 mazhoranca, e 2 opozita. Shtimi i kërkesave  nuk është bërë nga ne, është e turpshme. Përzgjedhja e njëjtë sipas së njëjtës formulë, ky ka qenë qëndrimi ynë që të martën. Partnerëve ndërkombëtarë dua t’iu bëj me dije se çdo mashtrim, bie përtokë me këto dy prova”,- theksoi kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha.
 
Në nisje të seancës plenare, kryetari I Kuvendit Ilir Meta, tha se nëse PD nuk voton pro reformës ai dop të japë dorëheqje nga posti i tij, ndërsa foli për shantazhe ndaj deputetëve.
 
“E vetmja mënyrë për të arritur konsensusin është sipas Venecias. Unë besoj shumë tek përgjegjshmëria e Bashës. Nëse PD pas sqarimit të këtyre momenteve nuk pranon ta votojë unë do ta votoj reformën pa konsensus dhe do jap dorëheqjen. “U bëj thirrje qytetarëve shqiptarë dhe amerikanë të jenë të qetë sepse nuk do të ketë asgjë për tu shqetësuar. Konsensusi është më i rëndësishëm se reforma, sepse pa të do të kemi probleme, do të japim një opinion të keq në vend dhe para ndërkombëtarëve. Jam i vendosur të sqarohemi me opozitën dhe të ruajmë konsensusin. Stabiliteti i Shqipërisë është shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit dhe ShBA, sepse jemi vend i NATO-s, prandaj duhet të jemi më të përgjegjshëm”,- tha kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.
 
Palët janë mbyllur në negociata intensive me ambasadorët e ShBA-së dhe BE-së. Paraprakisht thuhet se ambasadorët kanë paraqitur një formulë të re për reformën në drejtësi, gjë të cilët demokratët e kanë pranuar.
 
Por, mbetet të mësohet në orët në vijim nëse do të votohet apo jo reforma në drejtësi këtë të enjte.
 
LULJETA NDOKA