Maqedoni

BDI: Vendit i duhet urgjentisht integrimi në NATO

04.04.2014 18:26

BDI, me keqardhje konstaton se në skenën politike në Maqedoni, përcaktimi strategjik për NATO mbetet më shumë deklarativ sesa thelbësor...

BDI, me keqardhje konstaton se në skenën politike në Maqedoni, përcaktimi strategjik për NATO mbetet më shumë deklarativ sesa thelbësor. BDI kërkon që nga fjala të kalohet në vepra.
 
“Republikës së Maqedonisë më tepër se kurdoherë i duhet politikë shtetformuese për anëtarësim në NATO dhe BE dhe jo arsye pse nuk mund të arrihet ky qëllim strategjik i përbashkët. Ukraina është shembulli më i mirë se sa e rrezikshme është që një shtet multietnik të jetë jashtë ombrellës së NATO-s dhe mbështetjes së UE-së. Shikuar nga kjo distancë kohore, duket profetike kërkesa e BDI-së dhe liderit të saj, Ali Ahmeti, thënë para disa muajsh se Maqedonisë i duhet NATO sot dhe në këtë moment. Nuk ka çati më të sigurt se anëtarësimi në NATO dhe UE”, deklaroi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.
 
Kërkesa e BDI-së për zgjedhje të parakohshme, kishte për qëllim të kërkojë ide dhe alternative, që do tu ofrohen qytetarëve për anëtarësimin në NATO dhe hapjen e proceseve integruese.
 
“BDI është e vetëdijshme se kjo ide madhore nuk është përgjegjësi vetëm e një komuniteti dhe nuk mund ta shtyjë vetëm një komunitet cilitdo qoftë ai, andaj dhe shpalosi idenë e kryetarit konsenzual, me qëllim parësor unifikimin e dy komuniteteve më të mëdha në gjetjen e rrugës së përbashkët në këtë proces”, shtoi Osmani.
 
BDI u bën thirrje partive politike, intelektualëve, shoqatave dhe institucioneve shkencore, arsimore, të analizojnë me kujdes këtë ide dhe t’i bashkëngjiten karvanit që do ta përshpejtojë rrugën drejt integrimeve euroatlantike. (Flutura Latifi, TVM2)