Ekonomi
Euro–obligacioni, Minovski: ishte i nevojshëm; Bogov: nuk jam kompetent; LSDM: Bogov nuk mund t’i ikë përgjegjësisë
22.07.2016 16:39
“Lëshimi i euro-obligacionit ka qenë i nevojshëm”,- deklaroi ministri i Financave, Kirill Minovski...

Ai tha se mjetet pritet të lëshohen gjatë këtyre ditëve, ndërsa paratë do të shfrytëzohen për nevojat buxhetore për vitin 2016 dhe 2017.
Ndërsa Minovski akuzoi opozitën se mos të kishin qenë letrat e dërguara ndaj institucioneve financiare, edhe shkalla e kamatës do të ishte më e ulët.
“Intenca jonë është deficit, të mbulohet sa është e mundur më shumë me sa më shumë burime të mjeteve nga kapitali financiar ndërkombëtar. Qëllimi është të lihen më shumë mjete tek bankat në ekonominë vendore, të cilat do t’i shfrytëzonin për kreditim, sepse qëllimi ynë themelor është që të zhvillojmë sektorin privat. Nëse kemi sektorin privat më të zhvilluar, atëherë kemi bazë më të mirë tatimore”,- deklaroi ministri i Financave, Kirill Minovski.
Ndërsa për lëshimin e euro-obligacionit, guvernatori, Dimitar Bogov, tha se ai nuk është kompetent për këtë punë, pasi për euro-obligacionin vendos Ministria e Financave.
“Për këtë pyetje vendos Ministria e Financave, ata i ndjekin zhvillimet dhe i planifikojnë huamarrjet. Ajo vendoset një herë në vit në buxhet, pra kuvendi voton për atë dhe të gjitha nevojat përcaktohen atje. Banka Popullore nuk është institucion që mund ta cenojë atë”,- tha guvernatori i Bankës Popullore, Dimitar Bogov.
Ndaj deklaratës të guvernatorit Bogov kanë reaguar nga LSDM. Nga kjo parti thonë se Bogov nuk mund t’i ikë përgjegjësisë për huamarrjen.
“Nëse është ashtu, atëherë çfarë kërkoi Bogov në konferencën në lidhje me kreditorët, ditën e hënë, kur u morr vesh për huamarrjen skandaloze. Atë e tregon edhe paraqitja e tij me ministrin e Financave, Minovski. Katastrofale për qytetarët e Maqedonisë është që kanë guvernator marionetë, i cili në vend që të mbrojë arkën shtetërore, është mbrojtës i interesave të Nikolla Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij. E vërteta rreth pjesëmarrjes së Bogovit në huamarrjen historike të qytetarëve shumë shpejt do të dalë në shesh”,- thuhet në reagimin e LSDM-së.
Ndërkohë, sot, pas seancës së rregullt të Komitetit për stabilitet financiar në Bankën Popullore të Republikës së Maqedonisë, ministri i Financave, Kirill Minovski, u bëri apel bankave ta intensifikojnë procesin e investimit në sektorin korporativ, sepse janë mjaft stabile dhe likuiduese.
ERSAN PAJAZITI
