Maqedoni

Mexhiti: Qytetarët po fuqizojnë përcaktimet e BDI-së

04.04.2014 18:31

Konventa e mbrëmshme e BDI-së, me 20 mijë të pranishëm, është përgjigje më e mirë për kundërshtarët politik të BDI-së...

Konventa e mbrëmshme e BDI-së, me 20 mijë të pranishëm, është përgjigje më e mirë për kundërshtarët politik të BDI-së, se përcaktimet strategjike të kësaj partie bashkojnë dhe janë forcë e vetme, e cila çon drejt familjes së madhe evropiane.
 
Kështu u shpreh nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti, pasi kërkoi falje nga të gjithë simpatizantët e integristëve, të cilët mbrëmë për shkak të numrit të madh të pranishmëve në konventë, kanë ngelur jashtë sallës për të përcjellë konventën.
 
“Konventa e mbrëmshme është përgjigja më e mirë për oponentët dhe kundërshtarët politik të BDI-së, se proceset e nisura pikërisht nga ne, për president konsenzual, që shqiptarët ta kenë hisen që na takon në shtetin tonë të përbashkët, që një orë më parë të integrohemi në NATO dhe BE, janë përcaktimet tona strategjike dhe parësore jo vetëm për të mirën e shqiptarëve, por edhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Shqiptarët besojnë dhe janë të bindur se standardi i mirë jetësor, fuqizimi politik dhe integrimet, mund të arrihen vetëm me punë të përbashkëta, e jo me fjalë boshe”, deklaroi nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti.
 
I pyetur se çka paraqet pjesëmarrja e Imer Selmanit dhe e disa ish-politikanëve tjerë në konventën e BDI-së, Mexhiti deklaroi se janë të shumtë ata të cilët do t’i bashkëngjiten kësaj partie, e cila sipas tij, gjithmonë realizon qëllimet.
 
“Jo vetëm ai, por edhe shumë të tjerë, ditëve të ardhshme do t’i bashkëngjiten, sepse vetëm BDI ka forcë dhe kapacitet të realizojë qëllimet. Andaj edhe një herë kërkojmë që vota shqiptare t’i bashkëngjitet kësaj lëvizjeje dhe këtij misioni, meqë çdo votë jashtë këtij bashkimi është votë pothuajse e humbur”, theksoi Mexhiti. 
 
Nënkryetari i BDI-së, Izet Mexhiti edhe një herë kërkoi bashkimin e votës shqiptare, sepse ka të bëjë për të mirën e popullit shqiptar. (Sanije Kasami, TVM2)