Maqedoni
Raporti i Komitetit të Helsinkit: periudhat zgjedhore me më shumë incidente
22.07.2016 16:54
Numri i rasteve të dhunës nga urrejtja, sipas raportit më të ri të Komitetit të Helsinkit, është në ulje...

Krahas numrit më të vogël në nivel vendi, analizat kanë dëshmuar se Shkupi edhe më tej ngelet qyteti i cili kryeson me numrin e incidenteve të regjistruara, sqaron Vojsllav Stojanovski nga Komiteti i Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“Njësoj si në vitet e kaluara, numri më i madh i incidenteve janë regjistruar në Shkup, megjithatë edhe ai është zvogëluar dhe tani nuk janë regjistruar në të gjitha komunat. Këtë vit incidente janë regjistruar vetëm në Aerodrom, Karposh, Qendër, Çair dhe Butel. 10 nga incidentet janë regjistruar në Gjevgjeli, nga 6 në Kumanovë dhe Prilep, dhe nga dy në Manastir dhe Negotinë”,- deklaroi Vojisllav Stojanovski nga Komiteti i Helsinkit.
Përveç dhunës nga urrejtja në bazë etnike, dhunë është regjistruar edhe ndërmjet personave me përfaqësim të ndryshëm politik, të cilët sipas KH-së, përsëri janë të iniciuara nga partitë, sidomos gjatë periudhave parazgjedhore.
“Vlerësojmë se partitë politike në luftën për të siguruar vota edhe nga pala maqedonase, por edhe nga ajo shqiptare, iniciojnë këso vepra penale nga dhuna, që më pas të mund të tregohen si mbrojtës të popullit të tyre, gjegjësisht të përkatësisë së tyre etnike, ata kështu fitojnë pikë dhe vota gjatë periudhës parazgjedhore”,- theksoi Vojisllav Stojanovski nga Komiteti i Helsinkit.
Ndërkohë, si shembull pozitiv janë regjistruar Dibra, Struga dhe Kërçova, ku që nga fillimi i monitorimit, sipas raportit të KH-së, nuk është regjistruar asnjë vepër.
Sipas të dhënave të KH-së, në vitin 2013 janë regjistruar 110 vepra nga urrejtja, në vitin 2014 janë regjistruar 80 vepra, ndërsa në vitin 2015 vetëm 44.
NAIM RAMADANI
