Botë

Erdogan për gjendjen e jashtëzakonshme: nëse ka nevojë do të zgjatet edhe tre muaj

22.07.2016 17:53

Pas ratifikimit në parlament për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan...

Pas ratifikimit në parlament për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, deklaroi për media se nëse do të jetë e nevojshme, Turqia do të zgjasë edhe tre muaj gjendjen e jashtëzakonshme të miratuar nga parlamenti pas dështimit të grushtit të shtetit një javë më parë.
 
Është hera e parë pas kësaj ngjarje kur presidenti Erdogan paraqet të dhënat sa i përket bilancit të viktimave dhe të të plagosurve.
 
Në total janë 2185 persona të plagosur dhe 246 të vdekur, duke përjashtuar puçistët. Presidenti turk tha se populli i tij do të vazhdojë rrugën demokratike për të sjellë vendin në një situatë më të mirë.
 
"Data 15 korrik e vitit që vjen do të shpallet dita e përkujtimit të martirëve që morën pjesë në tentativën e grushtit të shtetit. Në ditët e sotme ne jemi duke jetuar me disa armiq dhe gënjeshtarë. Dua që populli im mos t’i kushtojë vëmendje atyre. Jam duke kërkuar nga  kombi im heroik, të cilët i dolën ballë grusht-shtetit, me guximin e tyre të vazhdojmë me orët e demokracisë deri sa kjo situatë e vështirë të përmirësohet. Dua që njerëzit e mi tani të tregojnë durim dhe sakrificë. 10.410 të dyshuar janë arrestuar deri më tani në mes operacioneve të vazhdueshme, ndërsa 4,060 janë rikthyer në paraburgim",- deklaroi presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.
 
Erdogan në fjalimin e tij shtoi se brezat e ardhshëm nuk do t’i harrojnë kurrë heronjtë e demokracisë, ata që shpëtuan shtetin e tyre. 
 
Ndërkohë, mbështetësit e presidentit vijojnë të manifestojnë nëpër rrugët e vendit, duke mbajtur postera ku shkruhet “flamuri ynë, vendi ynë”.
 
Shumë prej manifestuesve vijojnë të akuzojnë imamin Gulen si organizator të grushtit të shtetit.
 
LEUNORA KALIQI